Yıldırım: Rezoluta e OKB-së për Kudsin ka forcuar shpresën për paqe në rajon
Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, në lidhje me rezolutën e OKB-së për Kudsin tha se: “Fitorja e mendjes së shëndoshë në OKB ka forcuar shpresën për paqe dhe zgjidhje në rajon. Me këtë vendim (rezolutë), jo vetëm Kudsi, Palestina, por ka fituar nderi i njerëzimit”, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë një fjalimi në Kongresin e 6-të të zakonshëm duke iu drejtuar anëtarëve të AK Partisë të qytetit Adıyaman, kryeministri Yıldırım ka folur për ngjarjet e përjetuara në Kuds. Ai ka bërë të ditur se “vendimi i marrë nga qeveria amerikane është përplasur me OKB-në dhe është rikthyer mbrapsht”.
Më tej Yıldırım ka tërhequr vëmendjen se 128 vendet e OKB-së me një qëndrim të drejtë nuk kanë pranuar vendimin e SHBA-ve për Kudsin. “Edhe njëherë është bërë e qartë se bota është më e madhe se një. Tashmë nuk është më i vlefshëm zakoni që ‘e bëra unë dhe u bë'”, është shprehur Yıldırım në fjalën e tij.
Pasi ka theksuar se Turqia, veçanërisht presidenti Recep Tayyip Erdoğan kanë kryer përpjekje të madhe që ky vendim të dalë i tillë, kryeministri Yıldırım tha: “Ne mblodhëm në Stamboll në një takim të jashtëzakonshëm Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI) dhe kemi vendosur në lëvizje ndërgjegjen botërore. Jemi krenarë dhe të lumtur që kemi arritur një rezultat të mirë në fund të përpjekjeve tona. Turqia ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në krah të popujve të shtypur dhe të pafajshëm, kryesisht për Palestinën. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të mirën e botës dhe për shpëtimin e njerëzimit”.
Gjithashtu Yıldırım ka bërë të ditur se pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik është kaluar në një proces shumë të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit. Ai ka theksuar se vazhdon një përpjekje e vendosur kundër organizatës terroriste DEASH, organizatës terroriste separatiste, dhe FETO-s, që u infiltrua brenda shtetit.