MaqedoniaRajoni

Maqedoni: Çfarë ndryshon me zyrtarizimin e gjuhës shqipe?

Gjuha shqipe në Maqedoni u zyrtarizua, megjithë reagimet e ashpra të presidentit të Maqedonisë Ivanov dhe opozitës VMRO-DPMNE, që e quan zyrtarizimin akt të dhunimit të demokracisë.

Çfarë parasheh ligji?

Ligji për gjuhët parasheh përdorimin e plotë të gjuhës shqipe si në të shkruar ashtu edhe në folur si në Qeveri, Kuvend, organet e pushtetit gjyqësor, administratën publike si dhe ndërmarrje e institucione tjera. Me këtë ligj drejtuesit e seancave, qoftë të Qeverisë apo Kuvendit, nëse janë shqiptarë, ato do të mund t’i udhëheqin në gjuhën e tyre, ndërsa të gjitha aktet botohen edhe në gjuhën shqipe. Mbishkrimet në nivel qendror do të jenë në dy gjuhë. Gjithashtu me këtë ligj parashihet që uniformat e policisë, të zjarrfikësve dhe të punonjësve shëndetësorë të jenë edhe në gjuhën shqipe në Shkup dhe komunat, ku mbi 20 për qind e popullatës janë shqiptare.

Për zbatimin e ligjit për gjuhët do të jenë përgjegjëse Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektoriati për Përdorimin e Gjuhëve. Për moszbatim të ligjit janë paraparë edhe gjoba për institucionet nga 4 deri në 5 mijë euro. Gjashtë muaj nga hyrja në fuqi e ligjit, të gjitha institucionet në Maqedoni janë të obliguara t’i zbatojnë obligimet e ligjit.

Xhaferri: Obligim të respektoj kushtetutën

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi e nënshkroi të martën ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili tanimë u botua edhe në Gazetën Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi. E kam ndërmarrë këtë veprim, pasi prita një vit kreun e shtetit, ka thënë Xhaferri. “Për faktin se ai nuk pranoi të zbatojë obligimet e tij është kompetencë dhe obligim i imi që unë që respektoj kushtetutën dhe ligjet që ka miratuar Kuvendi dhe me vullnetin t’i vë në veprim dhe me këtë vlerësoj se kam zbatuar kompetencat e mia kushtetuese”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi.

Reagime të ashpra

Mazedonien | Neuer Parlamentspräsident kann Amt nicht antreten | Parlamentspräsident Talat Xhaferi (picture-alliance/AA/B. Ademi)

Vendimi për përdorimin e gjuhës shqipe në Gazetën Zyrtare është publikuar pa nënshkrimin e presidentit maqedonas Gjorgji Ivanov. Ai e ka shpërfillur në vazhdimësi të dekretoj ligjin në fjalë. “Publikimi i ligjit për gjuhët në Gazetën Zyrtare ka mundësuar që të shohim fytyrën e vërtetë të koalicionit qeveritar LSDM- BDI, koalicion që veten e quan pro-evropian. Shpallja e ligjit për gjuhët në Gazetën Zyrtare dhe e Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, pa dekretin e Presidentit, është jo-kushtetuese. Kjo paraqet bazë për ndjekje penale”, thuhet në reagimin me shkrim të presidentit Gjorge Ivanov.

Ndërsa VMRO DPMNE-ja opozitare publikimin e ligjit në gazetën zyrtare e vlerëson si akt të dhunimit të demokracisë. “Përgjegjësinë për botimin e ligjit pa firmën e Ivanovit e mban Martin Kostovski, drejtor i Gazetës Zyrtare dhe të gjithë të involvuarit e tjerë. Me këtë akt LSDM-ja sërish ka dhunuar demokracinë dhe ka shkelur rendin kushtetues në Maqedoni”, thuhet në reagimin e VMRO-DPNE-së.

Mazedonien Präsident Gorge Ivanov (Getty Images/AFP/R. Atanasovski)

Grubi: Me ligjin për gjuhët realizohet tërësisht Marrëveshja e Ohrit

Për deputetin e BDI-së, Artan Grubi zyrtarizimi i gjuhës shqipe në Maqedoni rrumbullakëson tërësisht Marrëveshjen e Ohrit. “Më në fund arritën të zbatojmë pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit, me ç’rast arritëm barazinë gjuhësore në Maqedoni në përputhje me kushtetutën dhe me premtimet tona programore. Shoqëria jonë po bëhet më e fuqishme, më kohezive, më e integruar dhe më evropiane”, vlerëson Artan Grubi nga BDI. Ndërsa profesori i së drejtës kushtetuese Temellko Ristevski vlerëson se vendimi i kryeparlamentarit Xhaferri për publikimin e Ligjit për gjuhët në Gazetën Zyrtare është i drejtë dhe nuk ka të bëjë me shkeljen e kushtetutës. “Në rastin konkret, presidenti i Republikës me mosrespektimin e normës kushtetuese për nënshkrimin e ligjit pas votimit të dytë në Kuvend, ka bërë shkelje të aktit më të lartë juridik në vend. Presidenti në bazë të Kushtetutës një herë ka të drejtë të mos dekretojë ligjet, por nëse i njëjti ligj votohet sërish në Kuvend, atëherë kushtetuta e obligon atë të nënshkruajë ligjin”, thotë Temelko Ristevski.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button