Zbulohet shtëpia punishte në Ishëm, sekuestrohen 300 kg kanabis, 1 në hetim
Opinioni publik i ktheu sytë nga Ishmi, kur një avion i cili dyshohet se do të transportonte drogë, mbeti i bllokuar pranë grykëderdhjes së lumit në këtë fshat. Ndërsa çështja është ende në hetim, gjatë ditës së djeshme policia ka zbuluar në Ishëm 300 kilogramë kanabis i cili përpunohej në banesën e një 47-vjeçari, të përshtatur për tharjen dhe magazinimin e bimëve narkotike.
Rasti u zbulua nga Policia e Durrësit në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative. Policia thotë se ka shpallur në kërkim pronarin e shtëpisë, të ndodhur në fshatin Rrotull. AI është 47-vjeçari me inicialet B.A me banim në fshatin Kërtushja të Ishmit, në Durrës.
Nga ana tjetër, policia sqaron se ka nisur procedimi penal për 32-vjeçarin me inicialet A.Ll me banim në Hamallaj të Durrësit i cili u kap nga policia në fshatin Rrotull ku ndodhej banesave e kthyer në punishte droge. 32-vjeçari u kap në një furgon me targë AA 039 BK, me 13 punëtorë, të cilët punonin në pastrimin dhe tharjen e bimëve narkotike në banesën e 47-vjeçarit B.A. Furgoni, tashmë i sekuestruar nga policia, ishte në pronësi të njërit prej punëtorëve.