Zëvendësministri saudit në Manama: Rajoni do kthimin e paqes, po punohet për të shmangur përshkallëzimin me Iranin
Rajoni do kthimin e paqes dhe po punohet për të parandaluar një përshkallëzim të ri ushtarak me Iranin, deklaroi të shtunën zëvendësministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Waleed ElKhereiji, siç njofton Al Jazeera nga forumi i sigurisë Dialogu i Manamës në Bahrein.
“Nëse shikoni përpjekjet që po bën gjithkush, mesazhi është shumë i qartë. Njerëzit në këtë pjesë të botës duan ta kthejnë paqen në rajon”, tha ElKhereiji para pjesëmarrësve të forumit. Ai shtoi se po bëhen përpjekje për të arritur një marrëveshje që i jep fund krizës me Iranin, por pranoi se askush nuk mund ta parashikojë rezultatin e këtyre përpjekjeve.
Deklarata vjen ndërsa rritet frika për një rifillim të luftës mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit pas zgjedhjeve afatmesme amerikane të 3 nëntorit. Në të njëjtin forum, edhe ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelatty, paralajmëroi se një raund i ri përshkallëzimi do të ishte më shkatërrues se i pari.
Paralelisht me forumin, përpjekjet diplomatike vazhdojnë në disa kanale: ndërmjetësit katarikë u kthyen të premten në Teheran, Pakistani thotë se është “me kujdes optimist” për ndërmjetësimin e tij, ndërsa të shtunën kryeministri i Katarit diskutoi me ministrin e Jashtëm të Kuvajtit koordinimin e përbashkët për uljen e tensioneve dhe garantimin e lirisë së lundrimit detar.
Mosmarrëveshja kryesore mes Uashingtonit dhe Teheranit mbetet rendi i negociatave: Shtetet e Bashkuara duan të nisin nga çështja bërthamore, ndërsa Irani kërkon së pari heqjen e bllokadës ndaj porteve të tij dhe lehtësimin e sanksioneve të naftës, në këmbim të rihapjes së Ngushticës së Hormuzit brenda shtatë ditësh.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.