Zgjedhjet vendore 2027, Berisha: Front të gjerë opozitar, të hapur për kandidatë të përbashkët që të rrëzojmë Ramën
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD synon krijimin e një fronti të gjerë opozitar për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke u shprehur i gatshëm të mbështesë kandidatë të përbashkët me forcat e tjera politike, edhe në ato bashki ku emrat e propozuar mund të mos jenë eksponentë të partisë së tij.
Gjatë bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë me qytetarët në rrjetet sociale, i pyetur nga komentuesit mbi strategjinë e opozitës për bashkitë e vendit dhe ecurinë e bisedimeve me faktorët e tjerë politikë, kreu i demokratëve theksoi se bashkëpunimi synon si vijimin e protestave kundër qeverisë, ashtu edhe bashkërendimin e aksionit politik për zgjedhjet e ardhshme.
“Ne synojmë dhe do të synojmë të krijojmë një front të gjerë të të gjitha forcave politike, të të gjithë faktorëve që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe. Kjo, së pari për të vazhduar protestat e fuqishme kundër tij dhe së dyti për të bashkërenduar përpjekjet tona në farsën e ardhshme elektorale,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se selia blu mbetet e hapur ndaj çdo propozimi të arsyeshëm për zona të veçanta, me qëllim maksimizimin e votës opozitare.
“Partia Demokratike është e hapur ndaj të gjitha forcave të tjera politike që e konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe për kandidatë të përbashkët, për zona të veçanta, për çfarëdo propozimi të arsyeshëm që të mund të krijojmë një front të përbashkët,” deklaroi ai.
Sa i përket fazës në të cilën ndodhen bisedimet me aleatët dhe faktorët e tjerë opozitarë, Berisha pranoi se deri më tani nuk ka pasur tryeza formale negociatash, por paralajmëroi se javën e ardhshme do të nisin hapa konkretë dhe seriozë në këtë drejtim.
“Për sa u përket negociatave, nuk mund të them se janë zhvilluar negociata të mirëfillta, por disa përpjekje janë bërë dhe tani në javën që vjen do të bëhen përpjekje serioze dhe të plota në këto dy drejtime,” përfundoi kreu i Partisë Demokratike.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.