Kronika

Zjarret, 19 vatra aktive në vend, digjen 3 shtëpi në Mallakastër

Një zjarr i fuqishëm ka renë pasditen e së premtes në fshatin Corrush të Mallakastrës. Si pasojë e flakëve janë djegur tre banesa, por fatmirësisht nuk ka patur njerëz të lënduar.

Zjarri ka përfshirë kodrat e këtij fshati dhe për pasojë janë djegur masive me ullinj, si dhe sipërfaqe me shkurre dhe ferra.

Kryetari i bashkisë Mallakastër, Agron Kapllanaj thotë se banoret janë evakuuar për arsye sigurie. Ndërkohë që zjarrfikësit e Patosit, Ballshit dhe Fierit po punojnë në kushte shumë të vështira për shkak edhe të terrenit.

Flakët e zjarrit që përfshinë malin e Vajkalit në Bulqizë mbrëmjen e së enjtes dogjën plotësisht një banesë dy katëshe dhe një kasolle, ndërsa rrezikuan shumë të tjera aty pranë, por fatmirësisht nuk pati të lënduar. Ishin banorët e zonës ata që ndërhynë për izolimin e flakëve.

Por në Bulqizë, rreziku është ende prezent me 3 vatra të mëdha zjarresh aktive, përkatësisht në malin e Temles, në Fushën e Lopës dhe malin e Bardhë ku si pasojë e terrenit të vështirë nuk është mundur dot të bëhet gjë për izolimin e flakëve të cilat kanë shkrumbuar prej 10 ditësh sipërfaqe të shumta pyjesh me lis, ah dhe shkurre.

Gjithashtu në zonën e Dropullit ne Gjirokastër është djegur një shtëpi ne fshatin Grapsh dhe u rrezikuan shume të tjera.

Flakët kanë përfshirë zonat e Goricës, Frashtanit, Lugarit, Grapshit dhe Zervatit duke shkaktuar dëme të mëdha në toka bujqësore, kullota dhe pemë, kryesisht në Grapsh dhe Zervat. Gjithashtu në rrezik janë edhe objektet e kultit.

Në përballjen me vatrat e zjarrit përveç specialistëve të emergjencave civile dhe efektivëve të Forcave të Armatosura janë angazhuar edhe dhjetëra banorë të zonave respektive. Ndërhyrja nuk ka munguar as nga ajri në ndihmë të të cilës mëngjesin e së premtes me vendim te Athinës zyrtare janë nisur nga Selaniku dy avionë zjarrfikës Canadair.

Në mbare vendin raportohen si aktive 19 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Dibër, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button