Regjistrimi i pronës/ Kim: Proceset transparente dhe gjykatat e pastra do të tërheqin investime më të mëdha amerikane
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim zhvilloi, një takim me kreun e Kadastrës Shqiptare Artan Lame. Në fokus të takimit ka qenë progresi i bërë në një vit që nga miratimi i ligjit për regjistrimin e pronës, përfshirë tokën bujqësore.
Sipas Kim zbatimi i ligjeve, proceset transparente dhe gjykatat e pastra do të tërheqin investime më të mëdha në vend.
“Sot u takova me drejtorin e Agjencisë Kadastrale, Lame, për të diskutuar progresin e bërë në një vit që nga miratimi i ligjit për regjistrimin e pronës, përfshirë tokën bujqësore. Theksova rëndësinë e transparencës në procese dhe inkurajova përpjekjet për të zgjidhur çështje të vështira”, u shpreh Kim.
“Ligjet dhe rregulloret e qarta, proceset transparente dhe gjykatat e pastra do të tërheqin investime më të mëdha amerikane në Shqipëri dhe do të hapin mundësi më të mëdha ekonomike për më shumë njerëz, jo vetëm për disa me mundësi të veçanta. Kjo është lidhja midis reformës në drejtësi dhe prosperitetit.
Edhe Kadastra Shqiptare në një njoftim, informoi për takimin e Lames me ambasadorin Kim.
Ligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” që u miratua në Parlament në mars të vitit të kaluar, parashikon që në një afat kohor prej 8 vitesh të mbyllë përfundimisht çështjen e pronësisë së tokës bujqësore.
Përmbyllja e këtij procesi është një garanci absolute për zhvillim të qëndrueshëm në zonat rurale për investimet e fermerëve tanë si dhe investitorëve të ndryshëm.
Gjithashtu ky ligj i hap rrugë mbështetjes financiare të fermerëve me grantet qeveritare apo fondet e programit IPARD, të cilat nuk mund të përfitohen nëse marrëdhënia e fermerit me tokën është e paformalizuar.