“Zyrtarë të përfshirë në trafik”, Nishani thirrje Metës: Deklasifiko informacionet e SHISH
Ish-presidenti Bujar Nishani ka folur për informacione të klasifikuara sot në emisionin “Të paekspozuarit” në News 24 në lidhje me krimin e organizuar në Shqipëri.
Informacione këto të raportuara tek Presidenti i Republikës dhe të bëra të njohura edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të thirrur 3 tetorin e vitit të kaluar nga Nishani për situatën e trafikut të drogës. Nishani tha sonte se ka pasur informacione për përfshirjen e punonjësve të policisë në trafik.
Ai tha se sipas ligjit SHISH më parë i raporton kryeministrit dhe më pas Presidentit dhe së këto informacione janë në arkivin e Presidencës. Duke vënë alarmin për situatën në vend, Nishani tha se shteti është në zgrip dhe informacionet e klasifikuara duhen deklasifikuar.
Rakipi: Si shpjegohet që sa më shumë asgjësohej në gojën e qeveritarëve, aq më shumë rritej.
Nishani: Kjo tregon mungesë papërgjegjshmërie, mungesë përgjegjësie dhe natyrisht shpërdorim të detyrës nga të gjithë ata që kanë pasur për detyrë të luftojnë krimin e trafikun.
Rakipi: Duket sikur jetojmë në një shtet kartel?
Nishani: Ju thashë që përveç pjesës së aktivitetit kriminal, ky grupi kriminal i Habilajve, që jo pa qëllim thashë janë të kategorisë së dytë, krimi i organizuar në Shqipëri ka kaluar në një stad më të lartë. Ambasadori amerikan foli për mafie. Edhe qëndrimi i qeverisë së SHBA për deklarimin e familjeve mafioze në Shqipëri këtu klanet mafioze kanë arritur aq lart sa jo vetëm duhet të na alarmojë por duhet të gjejmë rrugën e zgjidhjes.
Rakipi: Një ambasador bën një deklaratë kaq të madhe, ju duhet ta keni diskutuar më parë?
Unë po nënvizoj atë që ambasadori ka folur në emër të qeverisë së SHBA. Që në Shqipëri ka klane mafioze dhe grupe kriminale. Maja e veprimtarisë kriminale shkon tek këto familjet mafioze, që jo vetëm kontrollojnë trafikun por kontrollojnë politikën.
Lubonja: Ajo që dua të di është kjo gjë, që ish-presidenti tha se Habilajt janë një skalioni i dytë. Halli im është ky si qytetar, si gazetar, ju nën petkun e presidentit, siç e kuptoj unë keni marrë informacion për këto grupe të tjera, ashtu sikurse për Habilajt. Ne na shqetëson si kanë funksionuar institucionet. Pra institucioni i SHIK-ut.
Nishani: Presidenti ka marrë informacione për trafikun në rritje, për përfshirjen e punonjësve të policisë me emra.
Rakipi: Këta emra vijojnë në qetësi?
Nishani: Përderisa nuk janë goditur, nuk ka hetime ndaj tyre do të thonë se vijojnë.
Lubonja: Këto informacione duhet t’i shkonin dhe kryeministrit.
Nishani: Nuk mund të flas se çfarë informacionesh i kanë shkuar kryeministrit. Me ligj është që para se t’i shkojnë Presidentit, i shkojnë kryeministrit.
Rakipi: Rama nuk thotë që nuk ka marrë informacione, thotë që nuk kam marrë informacione për Tahirin.
Nishani: Informacione që kam marrë janë në arkivën e SHISH dhe të Presidencës.
Rakipi: Ju doni t’i thoni Presidentit të ri bëjeni publike.
Nishani: Unë dua t’i them opinionit publik që në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë është diskutuar dhe për zyrtarë të përfshirë. Shteti është në zgrip. Në këtë pikë ku kemi mbërritur edhe opinioni publik duhet të jetë i qartë. Të deklasifikohen disa qëndrime, deklarata dhe informacione nga institucionet e mbledhura në atë tryezë dhe të kuptohet së pari, sepse aty nuk është çështja vetëm e hetimit penal, kemi nevojë për një diskutim të madh publik.
Bushati: Çfarë do zbardhte kjo?
Nishani: Nuk mund ta them unë sot. Nuk besoj se ka të bëjë me çështje emrash por ka të bëjë me funksionimin e mekanizmave.