Bota

Tre arsyet pse italianët i thanë “jo” Matteo Renzit

Humbja dërrmuese e Matteo Renzit në referendumin e të dielës mbi reformën kushtetuese vjen për shkak të shumë faktorëve, duke filluar që nga antipatia që kryeministri italian ngjall, tek pakënaqësitë e  krijuara nga kriza ekonomike e deri tek mbrojtja e Kushtetutës.

Një votë proteste ndaj krizës ekonomike

“Pjesëmarrja e lartë dhe përqindja e lartë e votuesve që refuzuan reformën tregon se ka një popull që do të rebelohet”, shkruan në një editorial Maurizio Molinari për të përditshmen “La Stampa”. “Populli rebel” përbëhet nga klasa e mesme e varfëruar, nga të rinjtë e papunë, nga punëtorët që ndjehen të kërcënuar nga ardhja e emigrantëve dhe punonjësve paga e të cilëve nuk mjafton për të jetuar”, shpjegon Molinari.

“Është i njëjti popull rebel që ishte në favor të Brexit në Britani, që votoi për Donald Trump në Shtetet e Bashkuara dhe që tani futi në krizë një nga vendet themeluese të Bashkimit Europian”, shpjegon drejtori i kësaj të përditshmeje.

Sipas analizës së Natixis , faqe e specializuar në çështjet ekonomike, ndërsa referendumi nuk mund të krahasohet me Brexit, “duhet të kuptohet si një ulërimë për ndryshim”.

“Çështja ekonomike nuk ka qenë një element neutral. Në 100 rrethe, ku përqindja e të papunëve është e ulët, fitoi “po” me 59%. Në 100 rrethe me papunësinë më të lartë “jo-ja” arriti 65.8% . Përveç kësaj, në jug (rajoni më i varfër i Italisë) votuan masivisht për “jo””, shkruan ai.

Dashuria për Kushtetutën

Ashtu si në vitin 2006, kur italianët refuzuan me 60% të votave një tjetër ndryshim në Kushtetutë të promovuar nga Silvio Berluskoni, shumica e italianëve thanë se nuk duan të prekin ekuilibrin kompleks të arritur mes pushteteve me Kushtetutën e vitit 1948 , të hartuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas njëzet vjetëve të qeverisë fashiste, synimi i të cilës është të parandalojë rritjen e një diktatori si Benito Musolinit.

“Ishte një patriotizëm kushtetues”, thotë gazetari Antonio Politi. “Kushtetuta fitoi kundër arrogancës, drojës, mungesës së  respektimit të sovranitetit popullor dhe të drejtave të qytetarëve”, shprehet Carlo Smuraglia, 93 vjeç, president i Shoqatës së Partizanëve Italianë.

“Kushtetuta është shkruar nga njerëz të shkolluar, jo si politikanët që kemi tani”, thotë Emanuela Carosi, shitëse vezësh në një treg të Romës. “Në çështjet kushtetuese, jemi një vend konservator”, shpjegon nga ana e tij Gianfranco Rotondi, ish ministër i Silvio Berlusconit.

Një votë politike kundër Renzit dhe qeverisë së tij

“Një referendum për një çështje komplekse dhe teknike u transformua në një fakt politik, në një zgjedhje politike”, pranoi sot Giovanni Orsini, Profesor i Shkencave Politike në Universitetin Luiss të Romës.

“Personaliteti i Renzit, arroganca e tij, ngjall antipati”, shprehet Antonio Noto, drejtori i institutit të sondazheve IPR Marketing. “Votuan kundër establishmentit, por edhe kundër stilit të tij të qeverisjes”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button