100 nxënës trajnohen për emergjenca dhe mbijetesë në natyrë
Rreth 100 nxënës të klasave të VIII-ta dhe IX-ta nga shkollat fillore të komunave të Fushë Kosovës, Mitrovicës dhe Shtimes, po marrin pjesë në një trajnim dyditor për kërkim-shpëtim dhe mbijetesë, i cili po mbahet në Qendrën e Kërkim-Shpëtimit në Berim (Qeqevë), në komunën e Zubin Potokut.
Aktiviteti i organizuar nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, po mbahet në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve dhe përfshin ligjërata teorike dhe ushtrime praktike për reagim në situata emergjente, kërkim-shpëtim dhe mbijetesë në natyrë.Në trajnim, së bashku me nxënësit dhe stafin përcjellës, po marrin pjesë rreth 200 persona.
Në organizimin dhe realizimin e aktivitetit janë përfshirë strukturat e sigurisë, stafi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Veri, përfaqësues të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, si dhe kryetarët e komunave pjesëmarrëse.Me rastin e hapjes së kampingut, kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se ky aktivitet do t’u mundësojë nxënësve të fitojnë njohuri dhe aftësi praktike në fushën e kërkim-shpëtimit dhe reagimit ndaj emergjencave.
“Te dashur fëmijë, jam shumë i gëzuar sot që po e shënojmë 1 Qershorin këtu në Ujman, me hapjen e këtij kampingu në Zubin Potok. Ky aktivitet do t’iu mundësojë mësimdhënësve dhe instruktorëve që t’i pasurojnë njohuritë dhe përvojën e tyre profesionale, ndërkaq ju, nxënës të dashur, pas dy ditësh do të ktheheni në shtëpitë tuaja më të përgatitur, më të vetëdijshëm për rëndësinë e kërkim-shpëtimit, që është një nga shtyllat kryesore të këtij kampingu. Në kampingun e parë, të organizuar nga institucionet tona në bashkëpunim me shoqatat dhe partnerët e tyre, do të fitoni njohuri dhe aftësi të vlefshme praktike, siç janë reagimi ndaj zjarreve duke përdorur pajisjet përkatëse, e deri te dhënia e ndihmës së parë. Të gjitha këto njohuri do t’ju shërbejnë jo vetëm për mbrojtjen e natyrës dhe jetës së njerëzve, por edhe për zhvillimin tuaj personal”, tha Kurti.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se kampingu është vetëm fillimi i një programi që synon përfshirjen e nxënësve nga të gjitha komunat e Kosovës.
“Ky është vetëm fillimi i një serie të pandalshme trajnimesh për fëmijët tanë gjithandej Kosovës, të cilët përmes bashkëpunimit me komunat do të vijnë këtu në trajnim. Përmes angazhimit të organizatave dhe institucioneve të ndryshme do të fitojnë dije, përvojë, por, siç tha edhe kryeministri, kënaqësi dhe aventura. Në këtë raund të parë janë nxënësit nga Fushë Kosova, Shtimja dhe Mitrovica. Në javët në vijim do të jenë nxënës nga komunat e tjera, derisa ne të arrijmë te secili nxënës i Republikës së Kosovës, me qëllim që të zhvillojnë aftësitë e tyre për kërkim-shpëtim, orientim në hapësirë, not dhe aktivitete të tjera”, tha Sveçla.
Ndërkaq, drejtoresha e Drejtorisë për Policimin në Komunitet dhe Parandalimin e Krimit, Zylfie Dema, u bëri thirrje nxënësve që t’u përmbahen rregullave të sigurisë gjatë qëndrimit në kamp.
“Fëmijë të dashur, e di që rregulla kemi në shtëpi dhe rregulla kemi në shkollë, mirëpo duhet t’iu përmbahemi edhe rregullave të trajnimit gjatë këtyre ditëve. Rregullat e sigurisë janë që të dëgjoni dhe të ndiqni udhëzimet e zyrtarëve policorë, pjesëtarëve të AME-së dhe zjarrfikësve. Asnjëherë mos lëvizni vetëm; duhet të jeni gjithmonë me shokun tuaj të caktuar. Njoftojeni menjëherë arsimtarin, zyrtarin e policisë apo zjarrfikësin nëse shihni diçka të pasigurt ose nëse lëndoheni. Mos u largoni nga perimetri i caktuar i kampit apo i stërvitjes pa leje të veçantë. Ndalohet rreptësisht kalimi i shiritave të sigurisë. Qëndroni vetëm në zonat e lejuara”, tha Dema. /Kp/




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.