Ekonomia

Basha me naftëtarët e Ballshit: Shteti im do të marrë përsipër pagesën e pakryer nga kontraktori

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në vizitën e tij në Mallakastër, ka zhvilluar takim me naftëtarët e Ballshit.

Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj, tha se naftëtarët sot janë të zhgënjyer nga qeveria për faktin se statusi i votuar në parlament me 140 vota nuk ka hyrë në fuqi. Ai tha se rafineria do fillojë punë atëherë kur naftëtarëve do t’u garantohen ato që u takojnë.

Nga ana e tij, Basha tha se problemi i rafinerisë, në tërësi problemi i naftës shqiptare është një problem politik, është një problem i krijuar nga makutëria e politikanëve për të përfituar bashkë me një grusht dallaveraxhinjsh.

“Fakti mbetet që kjo pasuri e jashtëzakonshme, në vend që të punonte për shqiptaret, në vend që të punonte për naftëtarët, në vend që të punonte për Ballshin dhe Mallakastrën u kthye në një bekim për një grusht njerëzish dhe një mallkim për të gjithë ju dhe në një vuajtje dhe në një brengë për të gjithë ju”, tha Basha.

“Nuk dua të lë jashtë vëmendjes edhe sakrificën e grave tuaja, nënave të fëmijëve tuaj. Që këto të zeza të mos përsëriten më, parakushti numër një, kushti i gjithë kushteve është që, politika mos t’i futet kësaj çështje me mendimin çfarë do të përfitojë, që politikanët dhe drejtuesit e ardhshëm mos të vijnë këtu me sytë e shqyer nga babëzia për të parë se çfarë do të fusin në xhep me qiramarrësin e ardhshëm, por të vijnë këtu të vetëdijshëm se kjo pasuri e jashtëzakonshme nuk u takon atyre, por i takon popullit, i takon njerëzve, në radhë të parë i takon komunitetit të kësaj zone”, tha Basha.

Basha u premtoi naftëtarëve dhënien fund të pandëshkueshmërisë, “nga dita e parë e abuzimeve me këtë pasuri e deri tek çdo zyrtarë i qeverisjes sime të ardhshme nuk do të ketë, jo e jo mbrojtje, por do të jetë jo në një por në disa lupa siç i takon zyrtarëve që merren me  arin e zi. Ata duhet të kenë nivelin më të lartë të integritetit dhe besueshmërisë”.

“Dua kur të vij herën tjetër ta shoh atë portë e t’ju shoh në sy, t’ju shoh së pari me këtë garanci të bërë realitet me zyrtarë shqiptarë të cilët e dinë se do të vëzhgohen çdo sekondë të veprimtarisë së tyre, do të jenë realisht në një veting të pandërprerë të jetës së tyre politike, zyrtare dhe private, për faktin e thjeshtë sepse do të kenë në dorë një pasuri që vetëm është abuzuar”, vijoi Basha.

“Natyrisht përgjegjësinë dhe garancinë për këtë e marr unë sot përsipër, me ndihmën e përfaqësuesve tuaj të ardhshëm, me ndihmën e Enkelejd Alibeajt, me ndihmën e Agron Kapllanajt, me ndihmën e sindikatës, por përgjegjsia është dhe do të jetë e imja. Nuk mundet që të fshihesh dhe të thuash është marrëdhënie privat-privat siç bëri ai që erdhi para jush me premtime të mëdha dhe në fakt vetëm e përkeqësoi dramën e madhe të hajdutërisë, të vjedhjes, të abuzimit dhe të shpërdorimit të pasurisë së kësaj toke në kurrizin e naftëtarëve. Jo! Përgjegjësi është dhe do të jetë gjithmonë qeveria. Përgjegjësi është dhe do të jetë gjithmonë kryeministri pavarësisht se kush do të jetë investitori, i huaj, i brendshëm apo në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgjegjësia është qeveritare. Dhe përgjegjësia qeveritare do të nisë me atë që ju kam thënë tek shtriheshit, tek dergjeshit në grevën e urisë. Shteti shqiptar do të marrë përsipër pagesën e pakryer nga kontraktori dhe do të përdorë pastaj të gjithë fuqinë e tij ligjore e shtetërore që këtë pagesë ta rikuperojë nga ata që kanë mbushur xhepat”, theksoi ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button