15 vjet në kërkim të drejtësisë për Diana Kastratin, familja kërkon epilogun e merituar të rastit
Pas ndërprerjes së seancës gjyqësore ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e Diana Kastratit, para mediave janë deklaruar babai i viktimës, Gëzim Kastrati, dhe avokatja e familjes, Miranda Haxhiu.
Babai i Dianës, Gëzim Kastrati shpreson se rasti do të marrë epilogun e merituar, duke theksuar se familja tash e 15 vjet po përballet me dhimbjen dhe pritjen për drejtësi.
Ai tha se këto vite kanë qenë të mbushura me vuajtje jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje, duke shprehur besimin se institucionet do ta çojnë deri në fund procesin gjyqësor, përcjell Telegrafi.
“Siç e tha edhe avokatja, ky është një rast që ka 15 vjet që drejtësia është vonuar. Por besojmë dhe shpresojmë që do ta marrë epilogun e merituar për gjithë këto vite vuajtje”, deklaroi Kastrati.
Ai gjithashtu foli për rastet e tjera të vrasjeve të grave që, sipas tij, vazhdojnë të mbeten pa një epilog përfundimtar, duke theksuar se nuk do të ndalet së ngrituri zërin për kërkimin e drejtësisë.
Kastrati u shpreh se ka kërkuar reagim institucional që nga viti 2011 dhe se pavarësisht vështirësive dhe pengesave të hasura ndër vite, do të vazhdojë të kërkojë drejtësi.
Ndërkaq, avokatja e familjes, Miranda Haxhiu, deklaroi se kërkesa e tyre do të mbetet që i pandehuri të përballet me drejtësinë dhe se do të përdorin të gjitha mjetet ligjore për të siguruar që drejtësia të vihet në vend.
“Do të jetë një kërkesë e vazhdueshme që i pandehuri duhet të ballafaqohet me drejtësinë. Ne do të vazhdojmë me të gjitha mjetet tona ligjore të sigurohemi që kjo drejtësi të vihet në vend”, deklaroi Haxhiu.
Ndryshe, seanca gjyqësore në rastin ndaj Adnon Jasharit, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, Diana Kastrati është shtyrë për 23 dhjetor, në orën 09:00.
Shtyrja erdhi pas kërkesës së avokatit mbrojtës, Haxhi Millaku i cili kërkoi kohë për t’u pajisur me shkresat e lëndës dhe për t’u njohur me dosjen e rastit. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.