“Nuk eksportojmë thuajse asgjë në BE”, Tabaku nga Brukseli: Integrimi ekonomik kërkon investime
Nga Brukseli, deputetja e PD-së kërkon që integrimi të sjellë përfitime për bizneset, fermerët dhe familjet, duke e lidhur këtë me rritjen e prodhimit dhe ndryshimin e politikave ekonomike.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti nga Brukseli shqetësimin se dobësimi i prodhimit dhe mungesa e investimeve në produktivitet po pengojnë bizneset shqiptare të përfitojnë nga tregu europian. Sipas saj, integrimi ekonomik kërkon ndryshimin e politikave të taksave dhe mbështetje për sipërmarrjet që prodhojnë.
Në një video të publikuar nga zyrat e Parlamentit Europian, gjatë vizitës ku po zhvillon bisedime me eurodeputetë dhe do të marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Punëve të Jashtme (AFET), Tabaku kërkoi që procesi i integrimit të dalë nga zyrat burokratike dhe të lidhet me ekonominë reale.
“Sipas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, po edhe sipas Progres Raportit, Shqipëria ka gjithë mundësinë që të shfrytëzojë tregun e përbashkët europian”, u shpreh ajo, duke shtuar se integrimi ekonomik mund të ekzistojë në letër, por nuk është realizuar në praktikë.
Për të ilustruar shqetësimin, Tabaku paraqiti shifrat sipas të cilave prodhimi zë 10,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, industria përpunuese 6,5%, ndërsa ndërtimi ka arritur në 12,6%. Sipas saj, kjo strukturë e ekonomisë kufizon mundësitë për eksport dhe konkurrencë.
“Tani, çfarë të eksportojë Shqipëria kur nuk ka prodhim, kur nuk ka produktivitet, kur nuk investon as tek inovacioni, nuk investon as tek produktet e reja?”, pyeti deputetja.
Tabaku argumentoi se përfitimet e integrimit duhet të ndihen nga bizneset, fermerët dhe familjet. Ajo kërkoi investime, taksa të drejta dhe një sistem ekonomik që stimulon produktivitetin.
“Integrimi ekonomik kërkon investime. Integrimi ekonomik kërkon biznese që prodhojnë. Integrimi ekonomik kërkon një ekonomi që punon për shumicën”, deklaroi ajo.
Deputetja theksoi se miratimi i ligjeve duhet të shoqërohet me rritjen e prodhimit, në mënyrë që ekonomia shqiptare të bëhet më produktive dhe procesi i integrimit të ndihmojë shumicën e bizneseve dhe qytetarëve.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.