The Real Deal: Andrea Gjini, 28-vjeçari shqiptar që po ndërton me ritëm të lartë në Bronx
Një nga revistat më të njohura amerikane të pasurive të paluajtshme, The Real Deal, i kushton një profil të gjatë një sipërmarrësi shqiptar vetëm 28 vjeç, i cili brenda pak vitesh është kthyer në një emër aktiv të tregut të ndërtimit në Bronx të New Yorkut.
Titulli i shkrimit të gazetarit Erik Engquist është domethënës: “Bronx tale: Developer Andrea Gjini, 28, is building like mad” – “Histori nga Bronxi: Ndërtuesi Andrea Gjini, 28 vjeç, po ndërton si i çmendur”. Gjini ka ardhur në Shtetet e Bashkuara nga Shqipëria rreth tetë vjet më parë dhe sot drejton AG Holdings Group, kompani që merret me zhvillimin, ndërtimin dhe administrimin e ndërtesave shumëfamiljare në New York.
Vëmendjen e The Real Deal e ka tërhequr sidomos mënyra se si Gjini ka arritur të përshtatë projektet e tij me programin e ri fiskal 485x të shtetit të New Yorkut. Ky program u krijua për të nxitur ndërtimin e banesave me qira, por vendos kërkesa të veçanta për pagat e punonjësve të ndërtimit kur projektet arrijnë ose kalojnë 100 apartamente.
Në East 198th Street, në zonën Fordham të Bronx-it, Gjini sapo ka përfunduar një zhvillim me 166 apartamente në dy ndërtesa të veçanta, duke e strukturuar projektin në mënyrë që asnjëra prej ndërtesave të mos arrijë pragun prej 100 apartamentesh që aktivizon kërkesat më të larta të pagave të programit 485x. Vetë Gjini thotë se është krenar që ka arritur ta bëjë sistemin ekonomikisht funksional, por në të njëjtën kohë kritikon mënyrën se si rregullat e programit po i shtyjnë ndërtuesit të projektojnë ndërtesa sipas kufirit fiskal dhe jo domosdoshmërisht sipas asaj që do të kishte më shumë kuptim urbanistik dhe ekonomik.
Ky nuk është një rast i izoluar. Në një projekt tjetër Gjini kishte planifikuar 120 apartamente, por, sipas tij, hoqi dorë nga 21 prej tyre dhe e uli projektin në 99, sepse kalimi i kufirit prej 100 njësish do t’i rriste kostot e ndërtimit me rreth 25 deri në 30 për qind. Në maj të këtij viti ai paraqiti gjithashtu dokumentet për një ndërtesë të re 12-katëshe me pikërisht 99 apartamente në 1917 Morris Avenue në Bronx.
Por profili i The Real Deal nuk është vetëm historia e një formule financiare. Gjini përfaqëson një brez të ri emigrantësh shqiptarë që po kalojnë nga bizneset tradicionale të komunitetit në sektorë ku kapitali dhe rreziku janë shumë më të mëdha. Kompania e tij funksionon në mënyrë të integruar, duke mbuluar nga blerja dhe zhvillimi i pronës deri te ndërtimi dhe administrimi i saj. Sipas të dhënave të tregut, vetëm gjatë dy viteve të fundit emri i tij është lidhur me dhjetëra aplikime ndërtimi dhe me financime që arrijnë në dhjetëra milionë dollarë.
Në një qytet ku pasuritë e paluajtshme janë një nga bizneset më konkurruese në botë, fakti që një revistë si The Real Deali kushton një profil të veçantë një 28-vjeçari të ardhur nga Shqipëria është në vetvete domethënës. Historia e Andrea Gjinit është një histori shqiptaro-amerikane, por njëkohësisht edhe një histori shumë tipike e New Yorkut: emigracion, sipërmarrje, rrezik dhe përpjekje për të gjetur hapësirën e vet në një nga tregjet më të vështira të Amerikës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.