7 projektet strategjike që kanë dështuar ose janë bllokuar
Nga verifikimi i listës së investimeve strategjike, disa kanë dështuar, disa janë anuluar ose kanë humbur statusin, disa nuk kanë nisur pas disa vitesh, ndërsa të tjera janë riformuluar dhe vazhdojnë me një subjekt apo projekt tjetër.
Në kuptimin më të ngushtë, tre projekte mund të konsiderohen të dështuara.
Si dështoi “Tirana City Center”
Projekti “Tirana City Center”, me një investim të deklaruar prej 106.85 milionë eurosh dhe 1,500 vende pune, është një nga rastet e një investimi strategjik të dështuar.
Statusi iu dha grupit saudit Al Shiddi për ndërtimin e një kompleksi me hotel, apartamente, vila, qendër tregtare dhe zyra në zonën e ish-stacionit të trenit në Tiranë. Megjithatë, projekti u përfshi në një konflikt gjyqësor për pronësinë dhe marrëveshja përfundimtare mes investitorit dhe shtetit nuk u nënshkrua.
Në gusht 2023, Komiteti i Investimeve Strategjike anuloi dy vendimet që i kishin dhënë statusin projektit, duke argumentuar se ato nuk kishin prodhuar pasoja juridike, pasi palët nuk arritën të nënshkruanin kontratën e investimit.
Territori iu vu më pas në dispozicion projektit tjetër, “The Cliffs of Tirana”, me investim të deklaruar prej 196.7 milionë dollarësh, i cili serish ka dështuar si rrjedhojë e problemeve me pronësinë e tokës.
Aquatiq, dy tentativa dhe asnjë fermë strategjike
Projekti “Aquatiq” për fermën e akuaponisë është një tjetër rast dështimi. Në vitin 2018, kompania mori statusin strategjik për një investim pilot prej 5.1 milionë eurosh, në një sipërfaqe prej 1.3 hektarësh.
Vetë AIDA pranon se vendimi nuk u vu në zbatim nga investitori, me argumentin se sipërfaqja ishte e pamjaftueshme për zgjerimin e aktivitetit.
Kompania aplikoi përsëri për një projekt shumë më të madh, me vlerë 26 milionë euro, me sipërfaqe 146 hektarë dhe 1,500 vende pune, por projekti ende nuk ka nisur. Afati trevjeçar i statusit përfundoi, ndërsa në korrik 2024 KIS-i refuzoi kërkesën e kompanisë për zgjatjen e tij.
Pas dy aplikimeve, një projekti të pazbatuar dhe refuzimit të kërkesës për shtyrje, ferma mund të konsiderohet e dështuar.
“Biopower Green Energy”, projekti mbeti i parealizuar
“Biopower Green Energy” parashikonte ndërtimin e dy parqeve me erë në Lezhë, me fuqi të përgjithshme 234 MW, investim prej 244 milionë eurosh dhe 350 vende pune.
Në vitin 2022, Enti Rregullator i Energjisë konstatoi zyrtarisht se projekti vazhdonte të ishte i parealizuar dhe se licenca e prodhimit nuk ishte përdorur. ERE vendosi shfuqizimin e licencës së “Biopower Green Energy” dhe kalimin e procedurave te një subjekt tjetër, “Marseglia Green Energy”.
Pra, projekti i paraqitur në listë me emrin “Biopower Green Energy” dështoi në formën e tij fillestare. Mundësia që investimi energjetik të vazhdojë nën emrin e një kompanie tjetër nuk e ndryshon faktin se subjekti fillestar nuk e realizoi atë.
“Gas Power Plant Korça”
“Gas Power Plant Korça” ishte një nga projektet më të mëdha energjetike të listës, me investim të deklaruar prej 349.7 milionë eurosh dhe 123 vende pune.
Projekti mori statusin strategjik në vitin 2018 dhe parashikohej të realizohej brenda tre viteve nga nisja e investimit. Por Ministria e Turizmit dhe Mjedisit refuzoi deklaratën mjedisore, duke i hequr projektit një nga kushtet kryesore për të vijuar me ndërtimin.
Parashikimet e mëvonshme flisnin për fillimin e ndërtimit në vitin 2022 dhe vënien në punë në vitin 2024, afate që nuk u realizuan. Nuk ka një vendim të KIS-it që ta anulojë formalisht statusin, por ekonomikisht, ai mund të konsiderohet i dështuar në formën e miratuar fillimisht.
“Albpanel”, status që nuk u kthye në fabrikë
Projekti “Albpanel” parashikonte një investim prej 15 milionë eurosh, 300 vende pune dhe ngritjen e një fabrike për prodhimin e paneleve nga kallami.
Statusi strategjik ishte dhënë që në vitin 2016. Në vitin 2020 u miratua ndryshimi i zonës ku do të zhvillohej investimi, por investimi nuk ka filluar. Megjithatë, kaq vite pas dhënies së lejes, ai është një nga projektet që mund të klasifikohet si investim strategjik i mbetur vetëm projekt.
“Mediterranean Wave”, projekt i pezulluar
Projekti “Mediterranean Wave”, me investim prej rreth 50.4 milionë eurosh, parashikonte ndërtimin e një kompleksi turistik në Plazhin e Gjeneralit.
Në vitin 2023, KIS pezulloi statusin strategjik, pasi projekti i paraqitur nuk përputhej me treguesit urbanistikë të Planit të Përgjithshëm Vendor të Kavajës. Kompanisë iu kërkua ta rishikonte projektin dhe gjurmën e zhvillimit. Ky projekt nuk mund të shpallet ende përfundimisht i dështuar, sepse pezullimi mund të hiqet pas rishikimit.
“Omnix Albania” transformohet
“Omnix Albania” dështoi në fazën e parë, kur investitori i huaj u tërhoq nga projekti fillestar. Megjithatë, projekti u ristrukturua dhe në vitin 2025 mori leje zhvillimi si “Lalzi Bay Resort”.
Ky projekt është i treti me status strategjik në Gjirin e Lalëzit, pas “Vala Mar 1” dhe “San Pietro”.
LEXONI EDHE
Bilanci i hidhur i investimeve strategjike
Rasti i Vlorës, investimet strategjike përfituan më shumë sesa dhanë
Nga tjetërsimi i tokës te fundosja e godinave, hijet mbi investimet strategjike
Investimet strategjike, modeli ku fiton investitori, jo ekonomia
Investimet strategjike, modeli ku fiton investitori, jo ekonomia



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.