Sejko: Depozitat bankare janë të sigurta, sistemi financiar vijon normalisht pavarësisht tensioneve
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka garantuar qytetarët për sigurinë e depozitave të tyre bankare, pavarësisht tensioneve të ditëve të fundit dhe incidenteve të regjistruara ndaj disa bankomateve gjatë protestave.
Gjatë një takimi me kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të sistemit bankar, Sejko deklaroi se sistemi bankar dhe financiar në vend ka vijuar të funksionojë normalisht, ndërsa bankat kanë nivele të mira kapitalizimi dhe likuiditeti.
Sipas guvernatorit, Banka e Shqipërisë ka mbajtur në funksion të gjitha sistemet e saj operacionale, duke i kushtuar vëmendje të veçantë sistemit të pagesave dhe qarkullimit të parasë fizike, për të garantuar vijimësinë e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
“Pavarësisht tensionit dhe presionit në sistemin bankar dhe financiar, depozitat e qytetarëve janë të sigurta. Bankat janë të mirëkapitalizuara dhe kanë një likuiditet shumë të mirë”, u shpreh Sejko.
Ai theksoi se funksionimi i pandërprerë i sistemit bankar është thelbësor për ekonominë, pasi përmes tij realizohen pagesat, mbështetet aktiviteti i bizneseve dhe sigurohet qarkullimi i parasë.
Guvernatori paralajmëroi se çdo cenim i këtij sistemi do të sillte pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset, duke vështirësuar edhe aktivitetet e përditshme ekonomike.
“Sistemi bankar është në funksion të qytetarëve dhe bizneseve. Cenimi i sistemit bankar dhe i sistemit financiar i dëmton drejtpërdrejt bizneset dhe qytetarët, si dhe krijon problematika që kanë të bëjnë me jetën e gjithkujt. Prandaj, ne duam që ky sistem dhe kjo industri të vijojnë pa ndërprerje operativitetin, sepse, në të kundërt, pasojat do të ishin negative”, përfundoi Sejko.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.