Home / Bota / A duhet të negociojë Ukraina me Rusinë?
Zjarrëfikësit ukrainas duke u përpjekur të fikin zjarrin nga bombardimet ruse në Vyshgorod pranë kryeqytetit Kiev, Ukrainë (23 nëntor 2022)

A duhet të negociojë Ukraina me Rusinë?

Zyrtarët ukrainas po kundërshtojnë presionin në rritje për të hyrë në negociata me Moskën, edhe pse sulmet e pamëshirshme ajrore ruse po peshojnë gjithnjë e më shumë në jetën, pasurinë dhe infrastrukturën e Ukrainës.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, hodhi poshtë njoftimet ruse të gatishmërisë për bisedime si thjesht pjesë e një fushate ndikimi për të minuar mbështetjen për Ukrainën midis partnerëve të saj.

“Ne presim që partnerët tanë të mos i kushtojnë më vëmendje deklaratave provokuese të Rusisë në lidhje me procesin e negociatave,” tha zoti Podolyak në një intervistë të premten me Zërin e Amerikës.

Deri më tani, zyrtarët e administratës amerikane janë dakord. Në një konferencë shtypi më 11 nëntor, rrugës për në Kamboxhia, këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan tha se propozimet ruse nuk mund të merren seriozisht për sa kohë që Moska kërkon të aneksojë ilegalisht territorin ukrainas.

Jake Sullivan
Jake Sullivan

Duke paraqitur ato që ai i cilësoi si “katër elementë thelbësorë të konsensusit” në qeverinë amerikane, zoti Sullivan përsëriti se vetëm Ukraina mund të vendosë se kur dhe në çfarë kushtesh të negociojë. Ai shtoi se çdo paqe e drejtë duhet të bazohet në parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe se SHBA-ja do të bëjë gjithçka që mundet për t’u siguruar që në çdo bisedim të ardhshëm, Ukraina të jetë në gjendje të negociojë nga një pozicion i fortë.

Megjithatë, përfaqësuesit e shtetit të Moskës kanë folur gjithnjë e më shumë për hapjen e negociatave në vazhdën e tërheqjes së Rusisë nga Khersoni – kthimi i tretë i madh i luftës nga vendi i tyre.

Zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov tha këtë muaj se qeveria e tij është “e hapur për dialog, pa parakushte”, njoftuan mediat ruse. Ai citohet të ketë thënë se Moska ka qenë e gatshme të përfshihet në negociata më herët, por se Kievi e ka ndërprerë dialogun “me urdhër të kuratorëve të tij perëndimorë”.

Katër ditë pas komenteve të zotit Ryabkov, rusët nisën bombardimet më të rënda të territorit ukrainas që nga pushtimi i saj në shkurt. Më 15 nëntor, u lëshuan deri në 100 raketa dhe dronë, duke lënë pothuajse gjysmën e sistemit energjetik të Ukrainës të paralizuar. Një tjetër sulm masiv të mërkurën dëmtoi më tej infrastrukturën energjetike në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës.

Bombardimet më 15 nëntor erdhën vetëm disa orë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy paraqiti një “formulë të paqes” me 10 pika në samitin e G-20 në Bali të Indonezisë. Ai përfshinte masa për të garantuar sigurinë bërthamore dhe atë të rrezatimeve, sigurinë e ushqimit dhe energjisë, një shkëmbim të të burgosurve dhe kthimin e ukrainasve të dëbuar nga Rusia, rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës.

Dmitry Peskov, sekretari i shtypit i presidentit rus Vladimir Putin, u tha gazetarëve rusë se bombardimet – që lanë miliona ukrainas pa ngrohje, ujë apo energji elektrike, të paktën për orë të tëra në të njëjtën kohë – ishte për shkak të refuzimit të autoriteteve ukrainase për të negociuar.

“Mosgatishmëria e palës ukrainase për të zgjidhur problemin, për të hyrë në negociata, dhe për më tepër, veprimet e palës ukrainase për të braktisur pikat e dakorduara të tekstit, e kështu me radhë, këto të gjitha sjellin pasoja”, tha zoti Peskov, sipas një agjenci ruse lajmesh.

Zoti Podolyak i tha Zërit të Amerikës se deklarata e Peskovit ishte “lloji i ultimatumit që terroristët do të lëshonin: Ose unë vras pengjet – popullsinë civile të Ukrainës – ose ju bëni atë që themi ne”.

Ai beson se Rusia e zhvilloi narrativën e negociatave për të përmirësuar reputacionin e saj në mbarë botën.

“Për ta, fjala “negociata” nuk do të thotë njësoj si për të gjithë – të ulemi, të paraqesim pozicionet dhe të kërkojmë një kompromis,” tha zoti Podolyak. “Jo. Ata thonë “negocioni”, që do të thotë “përmbushja e kërkesave të tyre” – për shembull, mos anëtarësimi në organizatat evropiane, NATO ose ndonjë aleancë tjetër ushtarake dhe dhënia e territoreve”.

Gjatë koncertit në Moskë për të festuar aneksimin e katër rajoneve ukrainase
Gjatë koncertit në Moskë për të festuar aneksimin e katër rajoneve ukrainase

Ai argumentoi se Rusia, duke humbur në fushën e betejës, i është drejtuar sulmeve ndaj popullsisë ukrainase për të detyruar drejtuesit në Kiev të përmbushin kërkesat e saj.

Ai tha se negociatat mund të fillojnë pasi të rivendoset integriteti territorial i Ukrainës dhe Rusia të kthehet në kuadrin e ligjit ndërkombëtar. Bisedime të tilla, sugjeroi ai, mund të përqëndrohen në çështje si ndjekja penale e krimeve të luftës dhe sigurimi i kompensimit për dëmet.

Raportet e mediave kanë sugjeruar se disa zyrtarë të qeverisë amerikane do të dëshironin që Kievi të përfitonte nga sukseset e tij në fushën e betejës duke kaluar në negociatat e hershme. Por ambasadori William Taylor, nëndrejtor për Rusinë dhe Evropën në Institutin Amerikan të Paqes, tha se qëndrimi i përshkruar nga zoti Sullivan është qëndrimi zyrtar i administratës.

“Jake Sullivan, këshilltari i sigurisë kombëtare, foli për presidentin dhe gjithë administratën,” tha zoti Taylor, i cili shërbeu si i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA në Kiev në vitin 2019. “Është në interesin kombëtar të SHBA që Ukraina të fitojë. këtë luftë dhe që Rusia të humbasë”.

Armëpushimi: Kush përfiton?

Shumica e ekspertëve që folën për Zërin e Amerikës besojnë se nga një armëpushim në këtë kohë do të përfitonte Kremlini dhe se nuk do t’i jepej fund luftës.

Çdo armëpushim i negociuar do t’i mundësonte forcave ruse të riorganizohen dhe të përforcohen, tha Nataliya Bugayova, bashkëpunëtore shkencore në Institutin për Studimin e Luftës.

“Ukraina ka avantazhin në terren. Një armëpushim do t’i mbante linjat e frontit në trajtën më të mirë të mundshëm që Putini mund të shpresojë nga kjo luftë. Është një nga mënyrat e pakta për Rusinë për të thyer avantazhin e forcave ukrainase”, u shpreh ajo në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.

David Kramer, drejtor ekzekutiv i Institutit Xhorxh W. Bush, beson se Ukraina mund të mbizotërojë në fushën e betejës dhe se e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftës është që aleatët e Ukrainës ta ndihmojnë atë që të fitojë.

“Askush nuk dëshiron më shumë sesa ukrainasit që kjo luftë të përfundojë. Ata po luftojnë dhe po vdesin për të mbrojtur vendin dhe lirinë e tyre, por ata kanë qenë jashtëzakonisht të suksesshëm deri më tani dhe mendojnë se mund të mbizotërojnë. Thirrja për negociata tani dëmton avantazhin e tyre”, tha zonja Kramer.

Forcat ukrainase duke ngritur flamurin në qytetin e çliruar Kherson (14 nëntor 2022)
Forcat ukrainase duke ngritur flamurin në qytetin e çliruar Kherson (14 nëntor 2022)

Ambasadori Taylor tha se një armëpushim i arritur ndërkohë që ushtria ukrainase po arrin të zmbrapsë forcat ruse nga vendi, “do t’u lejonte rusëve të mbanin atë çfarë kanë pushtuar tashmë, ilegalisht”.

Kjo do t’i vendoste rusët në një pozicion të favorshëm për sulmet e ardhshme, tha zonja Bugayova.

“Çdo pikë e fortë për rusët, veçanërisht në jug të vendit që është tepër strategjik, do të përbënte një kërcënim të përhershëm për sovranitetin ukrainas, sepse qëllimi maksimalist i Putinit për të kontrolluar Ukrainën nuk ka ndryshuar dhe ka shumë të ngjarë të zgjasë edhe kur ai të mos jetë më në pushtet. Kremlini do të përdorë armëpushimin për t’u përshtatur, dhe jo për të pakësuar përpjekjet për ta vendosur Ukrainën nën kontroll”.

Një argument fiskal

Një pikëpamje e kundërt u shpreh nga Katrina vanden Heuvel në një artikull në gazetën The Washington Post. Ajo argumentoi se është koha që Shtetet e Bashkuara të fillojnë të krijojnë kushtet për një zgjidhje diplomatike të luftës për shkak të kostove në rritje për palët ndërluftuese, për Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera që mbështesin Ukrainën.

“Shumë gjëra rrezikohen nëse rrimë duarkryq, ndërsa katastrofa përhapet dhe kostot e rreziqet vazhdojnë të rriten”, shkrunte ajo.

Administrata e Presidentit Biden mori miratimin e Kongresit për 40 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën për vitin 2022; më shumë se 19 miliardë dollarë janë shpenzuar për mbrojtjen ushtarake që nga 24 shkurti.

Ekonomisti Timothy Ash pranoi në një artikull për Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane se ndihma për Ukrainën tashmë përfaqëson 5.6% të shpenzimeve totale të mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara. Por ai shkruante se:

“Rusia është një kundërshtar kryesor i Shteteve të Bashkuara, një rival i nivelit parësor, jo shumë larg Kinës, sfiduesja strategjike numër një”.

Strategjia e Mbrojtjes Kombëtare e Shteteve të Bashkuara e përkufizon Rusinë si “një kërcënim akut”.

Jo lëshimeve territoriale

Zoti Kramer tha se ai shqetësohet se bisedat për nevojën që Ukraina të bëjë lëshime do të jenë “thellësisht demoralizuese për forcat jashtëzakonisht të guximshme ukrainase që luftojnë për lirinë e tyre”. Ai vuri në dukje se shumica e ukrainasve kundërshtojnë çdo lëshim territorial në këmbim të një armëpushimi.

Sipas sondazhit të bërë në shtator nga Instituti Ndërkombëtar i Sociologjisë së Kievit, 87% e ukrainasve nuk ishin të gatshëm të mbështesin asnjë lëshim territorial për hir të përfundimit të luftës me Rusinë sa më shpejt të jetë e mundur.

Zonja Bugayova shtoi se një armëpushim i hershëm do t’i linte ukrainasit që ende jetojnë në territoret e pushtuara të vuajnë “mizoritë e vazhdueshme ruse”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara për Drejtësinë Penale Globale, Beth Van Schaack, theksoi se organizatat joqeveritare, mediat dhe hetuesit e krimeve të luftës kanë mbledhur tashmë prova të gjera për mizori të tilla.

“Kudo që forcat ruse janë vendosur, po shohim një gamë të tërë krimesh të ndryshme lufte”, i tha ajo shërbimit në gjuhën ukrainase të Zërit të Amerikës.

Një prokuror për krimet e luftës duke vëzhguar gërmimet në një pyll pranë qytetit ukrainas Izium, të çliruar nga forcat ukrainase (18 shtator 2022)
Një prokuror për krimet e luftës duke vëzhguar gërmimet në një pyll pranë qytetit ukrainas Izium, të çliruar nga forcat ukrainase (18 shtator 2022)

“Kjo përfshin gjithçka, nga bombardimet e infrastrukturës civile, tek dhuna personale, me individë që duket se janë vrarë në stilin e ekzekutimit, ose që trupat e tyre tregojnë shenja torture”.

Ajo shtoi se ka pasur “raportime të besueshme të grave dhe vajzave, madje edhe burrave dhe djemve që i janë nënshtruar dhunës seksuale kur janë mbajtur nga forcat ruse”.

Zoti Taylor tha se ai beson se Kievi duhet të marrë në konsideratë bisedimet me Moskën, por vetëm pasi forcat ruse të largohen nga territori ukrainas. Ambasadori tha se vetë territori nuk duhet të jetë objekt negociatash.

“Temat duhet të përfshijnë tërheqjen totale të forcave ruse nga Ukraina; rikthimin e të burgosurve të luftës dhe ukrainasve të tjerë, përfshirë fëmijët ukrainas, të mbajtur ose të marrë me forcë në Rusi; dëmshpërblimet për dëmet e luftës; përgjegjësinë për krimet e luftës dhe mizoritë; dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën”, tha zoti Taylor në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.

Zoti Kramer pajtohet, por tha se mund të gjejë pak tema për të diskutuar me qeverinë aktuale në Moskë.

“Është e vështirë të shihet se çfarë ka për të negociuar me një regjim në Moskë fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”, tha ai në një përgjigje me shkrim.

Will Pomeranz, drejtor i Institutit Kennan të Qendrës Wilson, sheh pak gjasa për një zgjidhje diplomatike së afërmi.

“Presidenti Zelenskyy ka folur për një plan ambicioz paqeje që nuk ka gjasa të pranohet – apo edhe të merret në konsideratë – nga Federata Ruse. Sukseset e fundit ushtarake të Ukrainës e bëjnë edhe më pak të ngjarë që Zelenskyy të bëjë kompromis për ndonjë nga kërkesat e tij”, i tha ai Zërit të Amerikës.

Ai beson se rusët gjithashtu nuk ka gjasa të pranojnë dhe të kompensojnë dhimbjen që i shkaktuan Ukrainës.

Presidenti Zelenskyy duke dekoruar ushtarakët në Kherson
Presidenti Zelenskyy duke dekoruar ushtarakët në Kherson

“Në të vërtetë, nuk mund të ketë paqe derisa Rusia të përballet me shkeljet që u ka bërë të drejtave të njeriut në Ukrainë dhe të paguajë dëmshpërblime të konsiderueshme për dëmin që ka shkaktuar. Një lëshim i tillë mbetet larg”, u shpreh zoti Pomerantz në një përgjigje me shkrim.

Në të njëjtën kohë, siç thonë vazhdimisht zyrtarët e administratës së Presidentit Biden, lufta mund të përfundojë në çdo moment nëse Presidenti rus Putin vendos t’i japë fund.

“Rusia sulmoi Ukrainën. Nëse Rusia do të zgjidhte të ndalte luftimet në Ukrainë dhe të largohej, ky do të ishte fundi i luftës. Nëse Ukraina do të vendoste të ndalte luftën dhe të dorëzohej, ky do të ishte fundi i Ukrainës”, tha zoti Sullivan.

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga The Washington Post, CEPA, Kommersant.Ru, Ukrinform dhe Interfax.Ru.

Leave a Reply

%d bloggers like this: