Opinion

Nje pyetje per zotin Belind Kellici

Nga Petro Dhimitri

Të kandidosh për t’u bërë Kryetar i Bashkisë së Tiranës është një iniciativë  e guximshme dhe shumë e vështirë. Mbi shpatullat e tua do të rëndojnë hallet e një kryeqyteti me afro një milion banorë. Në këtë këndvështrim si ju dhe kandidatët e tjerë duhet të përgëzoheni për vendimin që keni marrë.Po a keni menduar mirë se pse qytetarët e ndershëm të Tiranës që nuk i përkasin asnjë partie kanë për të votuar për ju? Që jeni tiranas është një avantazh. Që rridhni nga një familje e vjetër e kryeqytetit gjithashtu duhet marrë në konsideratë. Po që fisi i Këlliçve ka një traditë patrotike që para Luftës së Dytë Botërore, kjo është plus për ju. Gjyshi juaj, si i zgjedhur nga populli, ka përfaqësuar Tiranën dhe Durrësin bashkë. Pikërisht për këtë traditë ju bëtë shumë mirë që në moshë fare të re iu bashkuat Partisë Demokratike. Këlliçët nuk i lidhte asgjë me komunistët dhe të majtët në përgjithësi. Mbaruat studimet në një universitet të SHBA-së, madje me rezultate shumë të mira. Ishte krejt e natyrëshme që për këto merita ju u zgjodhët kryetar i Forumit Rinor të PD-së. Më vonë edhe deputet i të djathtës sonë. Për të gjitha këto askush nuk mund të thotë se keni gabuar që i dhatë krahë ëndërrës suaj për t’u bërë numuri 1 i Tiranës, që të gjithë e duam aq shumë. Kjo rrugë kishte për të qenë më se normale, në rast se kishit për të kandiduar si përfaqësues i Partisë Demokratike ligjore. Unë nuk mund ta kuptoj se si, duke qenë tradicionalisht i djathtë, madje duke jetuar kaq vite në Amerikën super demokratike dhe krejt antikomuniste, ju vajtët dhe iu bashkuat komunistit Sali Berisha që krijoi Foltoren e zhurmëshme antiamerikane të tij?

          Ju e dinit dhe e dini shumë mirë që foltoren Berisha e krijoi si kundërpeshë e përjashtimit nga grupi parlamentar i PD-së, kur Washingtoni e shpalli atë dhe familjen e tij NON GRATA. Ai veprim nuk ishte një tekë e Lulëzim Bashës që ishte i përkëdheluri, besniku dhe  megafoni i Berishës. Për PD-në kishte dy rrugë: ose të ndaheshin nga Berisha ose partia nuk kishte për të patur më mbështetjen e atyre që bekuan dhe ndihmuan për të ardhur në pushtet. Amerikanët nuk i lanë alernativë tjetër zotit Basha.
           Nuk besoj se e keni harruar që ai bashkë me familjen është shpallur NON GRATA për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë. Përfshi dhe kapjen prej gryke të drejtësisë. Atëhere si mundet që ju u shkëputët nga PD-ja ligjore për t’u bashkuar me një grupim që për Washingtonin është absolutisht aq i padëshiruar  sa nuk duan të kenë as edhe një kontakt më këtë njeri. E pra, ishin ata që e ndihmuan të vinte në pushtet. Ishin ata që e përkrahën. Nuk i keni bërë vetes ndonjëherë pyetjen pse ky zemërim kaq i madh për doktorin? Nuk i keni analizuar ndonjë herë në mendjen tuaj veprimet e dukshme korruptive disavjeçare të doktorit? Ato janë në vijimësi dhe i dinë të gjithë shqiptarët, përveç dishepujve të foltores që shtiren sikur nuk i dinë. Firmat piramidale, embargo e naftës, puçi për rrëzimin e Nanos, 21 janari, Gërdeci, privatizimi i Bllokut ”Partizani”, thirrja për të mos u firmosur Rambueja, vila pallat në Lalëz… A nuk mjaftonin të gjitha këto që ju të mos shkonit pas një njeriu që ka 32 vjet kryetar, 13 vjet në krye të Shqipërisë dhe që kërkon sërish të jetë vetëm ai Zot i Qiellit dhe Tokës Arbërore!? Ju shkuat pas një njeriu që, Washingtoni dhe Londra demokratike, i kanë vënë damkën NON GRATA, që shqip do të thotë hajdut?! Ka edhe më. As dhe një i djathtë i ndershëm nuk mund të bekojë aleancën e dy komunistëve të thekur Sali Ram Berisha dhe Ilir Meta. Me që Foltorja (që nuk e njeh ligji si parti) ajo është futur nën çadrën e Partisë së Lirisë! O Zot, të djathtët anti komunistë duhet të votojnë për partinë e një  komunisti të mirënjohur! Jo vetëm kaq. Populli e përflet nga mëngjesi deri në darkë për korrupsionin e tij të jashtëzakonshëm. Populli edhe mund të gabojë, se nuk është gjykatë, po që Meta është i majtë këtë e dinë dhe kalamajtë e shkollave. Se si mund të përputhen e djathta me të majtën këtë vetëm ata të dy e dinë. Në këtë rast, e majta ka thithur kandidatët gjoja të djathtë. Kjo sepse të dy liderat  edhe sot janë po  ata që në diktaturë shtrëngonin fort teserat e kuqe të partisë. Nuk besoj se e keni harruar që Ramiz Alia e ngarkoi doktorin, i cili si sekretar partie i zellshëm që ishte, të vihej në krye të lëvizjes antikomuniste. Përfundimi: e plotësoi me nder detyrën, e shkatërroi Partinë Demokratike dhe të djathtën e Shqipërisë. Për këtë sukses e majta ia merr valles shtruar.
       E megjithatë, ju i diplomuari në SHBA, deklaroni se Berisha është e ardhmja?! I paskërkeni marrë kot ato nota shumë të mira në Coppin State University!
  Si mundet të keni sy e faqe t’i kërkoni popullit demokrat të votojë për ju, apo kujtoni se ata janë shurdhë-memecë që nuk dinë as historinë, që nuk kuptojnë se çflisni dhe premtoni?! Vetëm njëri nga shurdh-memecët kishte mundur ta kuptonte se ju keni thënë që transporti urban do të jetë falas. I gëzuar  bënte shenja me dorë sikur udhëtonte me autobuz pa paguar para. I ndriste fytyra.
       Kandidatura juaj është  thikë me dy presa ,për PD-në e ligjshme. Edhe pse shanset për të fituar i keni minimale, përsëri ato pak vota që keni për të marë, do të jenë një minus për Roland Bejkon, demokratin e partisë së djathtë të ligjshme.
        E fundit: mund të ketë qytetarë të ndershëm që mendojnë se  jeni i përgatitur për karriken që synoni, megjithatë nuk mund të hedhin votën për ju deri sa komandanti juaj është Sali Berisha. Mund t’ju kujtohet që në Kavajën djep i demokracisë, në votimet e 25 marsit Berisha mori vetëm 174 vota. Nuk doli deputet nga populli, po nga lista partiake. Kur Kavaja ka vepruar kështu, nuk besoj që  të djathtët dhe elektorati gri i kryeqytetit kanë për të dashur që ju të jeni kryetari i bashkisë së tyre.
         Dëmi që po vazhdon t’i sjellë idhulli juaj NON GRATA Tiranës është se po garanton fitoren e Erion Veliajt . Edhe ai është diplomuar nga një universitet në Michigan. Ndryshe nga ju që jeni pozicionuar me Foltoren anti SHBA, kandidati i së majtës është 100 përqind pro Amerikës dhe Botës Perëndimore. Për shqiptarët e ndershëm, pavarësisht nga përkatësia partiake, kjo do të thotë shumë. Kam bindjen se Tirana që e priti James Bakerin me parrullën: ”KEMI 50 VJET QË JU PRESIM” nuk ka për të votuar për dishepujt e një antiamerikani të DEKLARUAR. Një prej atyre dishepujve, jeni dhe ju, zoti Belind Këlliçi!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button