Tiranë 29°C · Pjesërisht vranët 11 August 2026
S&P 500 7,731 ▼0.29%
DOW 53,858 ▼0.22%
NASDAQ 26,434 ▼0.64%
NAFTA 83.07 ▲1.14%
ARI 4,425 ▲0.12%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1548 EUR/GBP 0.8551 EUR/CHF 0.9349 EUR/ALL 93.1773 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3497 EUR/TRY 55.1133 EUR/JPY 183.60 EUR/CAD 1.6098 EUR/USD 1.1548 EUR/GBP 0.8551 EUR/CHF 0.9349 EUR/ALL 93.1773 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3497 EUR/TRY 55.1133 EUR/JPY 183.60 EUR/CAD 1.6098
₿ CRYPTO
BTC $63,590 ▼ -0.51% ETH $1,864 ▼ -0.42% XRP $1.0150 ▼ -0.4% SOL $75.2700 ▼ -0.99%
S&P 500 7,731 ▼0.29 % DOW 53,858 ▼0.22 % NASDAQ 26,434 ▼0.64 % NAFTA 83.07 ▲1.14 % ARI 4,425 ▲0.12 % S&P 500 7,731 ▼0.29 % DOW 53,858 ▼0.22 % NASDAQ 26,434 ▼0.64 % NAFTA 83.07 ▲1.14 % ARI 4,425 ▲0.12 %
EUR/USD 1.1548 EUR/GBP 0.8551 EUR/CHF 0.9349 EUR/ALL 93.1773 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3497 EUR/TRY 55.1133 EUR/JPY 183.60 EUR/CAD 1.6098 EUR/USD 1.1548 EUR/GBP 0.8551 EUR/CHF 0.9349 EUR/ALL 93.1773 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.3497 EUR/TRY 55.1133 EUR/JPY 183.60 EUR/CAD 1.6098
11 Aug 2026
Breaking
Opinion

A do ta shpallë PD-ja armik ambasadorin e ri amerikan? Intrigat dhe sulmet kundër Withers, Arvizu, Lu dhe Kim

Nga Adriatik Doçi

Edhe pse e kishte cilësuar Berishën ‘burrë shteti’ pas vrasjeve të 21 Janarit, më 21 qershor 2013, dy ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit, PD-ja sajoi lajmin e rremë se ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu ishte shkarkuar nga detyra. Ambasadori Arvizu jo vetëm që nuk iku, por qëndroi një vit më shumë në detyrë, duke dhënë disa herë lamtumirën në dreka dhe intervista nga dhjetori 2014 deri në janar 2015.
Sali Berisha nuk fshehu krisjen dhe mërinë. Ai tha se Arvizu u largua si mik i Edi Ramës, duke nënkuptuar si armik i tij. “Të dashur miq. Ambasadori Arvizu ishte mbrëmë në intervisteë lamtumire para largimit nga Shqipëria….Por ai zgjodhi, në rrafshin politik, të largohet thjesht si mik i Edi Ramës dhe mbeshtetësve te tij. Për të faktuar këtë, ai perdori termat me tipike si SHQUP, që Edi Rama përdor për të fyer Partinë Demokratike”.
Për sajimin e lajimit para zgjedhjeve, Arvizu, në gusht të 2013, i kishte dhënë një përgjigje therëse Berishës. Ambasadori e krahasoi largimin e Berishës nga pushteti në 2013 me largimin e Ramiz Alisë në 1992. “Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin. Këtë radhë, PS-ja punoi më fort e mori 90 mijë vota më shumë. I rëndësishëm për SHBA-në është konsolidimi i demokracisë”.
Në vitin 2010, Sali Berisha besohet se nxiti Ilir Metën, asokohe ministër i Jashtëm në qeverinë e tij, t’i drejtohej me një letër Departamentit Amerikan të Shtetit, duke kërkuar largimin e parakohshëm nga Shqipëria të ambasadorit të atëhershëm amerikan në Tiranë, John Widhers, me argumentin se kishte kritikuar qeverinë.
Ambasadori Widhers kishte mbajtur qëndrime të forta kundër Berishës për Gërdecin, korrupsionin, presionin ndaj drejtësisë, shitjen e detit etj., ndaj Berisha, përmes Metës, kërkoi dëbimin e tij nga Shqipëria. Ilir Meta e mohoi letrën, por ishe përgjigja e DASH ndaj letrës, që nxori zbuluar Metën dhe Berishën. Në përgjigje, DASH refuzonte kërkesën e Metës për largimin e ambasadorit, duke theksuar se qëndrimet e tij përfaqësonin qeverinë amerikane.
Donald Lu u betua si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri më 17 dhjetor 2014. Lu mbahet mend si një nga ambasadorët më me ndikim në Shqipëri dhe njeriu që mbështeti fort reformën në drejtësi. Konflikti i dyshes Berisha-Meta me Donald Lu dukej i pashmangshëm.
Në korrik të vitit 2016, Donald Lu kulmoi presionin ndaj PD-LSI për të votuar ndryshimet Kushtetuese, të cilat projektonin reformën në drejtësi, ndërsa Ilir Meta kërcënonte që do të jepte dorëheqjen si kryetar i Kuvendit, me alibinë se duhej konsensusi i aleatit të tij, Sali Berisha. Reforma u miratua me 140 vota nën kërcënimin e SHBA. Pas përplasjeve të forta në 2015, Berisha dhe Meta u bashkuan në vitin 2016 për t’u mos u ndarë më, pikërisht në emër të kundërvënies ndaj reformës, e cila dy vjet më pas do të jepte efektet e para, duke shkrirë KLD-në, boshatisur Gjykatën e Larë dhe Kushtetuese, organe të cilat në përbërje të tyre kishin gjyqtarë të emëruar nga PD-LSI, si ushtarë të besuar.
Frontit kundër reformës iu bashkuan edhe shoqata e gjyqtarëve, ish-anëtarë të KLD dhe sidomos Adriatik Llalla, në atë kohë kryeprokuror, i emëruar nga Ilir Meta dhe Sali Berisha, si i besuar i tyre. Është epika beteja e tyre e përbashkët kundër Vetingut, ligjeve të reformës në Gjykatën Kushtetuese deri në Komisionin e Venecias dhe sidomos për qëndrimin e Llallës në detyrë përtej afatit të mandatit.
Në dhjetor të vitit 2017, Sali Berisha shpërtheu kundër ambasadorit Lu, duke i dalë në mbrojtje ushtarit të tij, Adriatik Llallës. “Lu është në konflikt interesi. Ai kërkon me çdo kushtet që Adriatik Llalla të ikë sepse e vërteta është e zezë mbi të bardhë. Llalla e ka akuzuar Lu-në shumë rëndë për korrupsion,” tha Berisha.
Kur Departamenti Amerikan i Shtetit e futi Adriatik Llallën në listën e zezë në vitin 2018 për mbrojtje të politikanëve të korruptuar, Llalla tha se në maj të vitit 2015 ambasadori Lu i kishte kërkuar arrestimin e Ilir Metës për korrupsion. Llalla shtoi se jo vetëm kishte refuzuar kërkesën për arrestimin e Metës, por kishe shkuar dhe raportuar tek Meta.
Lu mohoi kërkesën për arrestimin e Metës, ndërsa tha “Ish-prokurori i Përgjithshëm Llalla është një zyrtar publik i korruptuar dhe diskredituar, i cili është nën hetim aktiv për pastrim parash dhe pasuri masive të pashpjeguara. Nuk është për t’u habitur që vazhdon të flasë kundër reformës në drejtësi sepse tani rrezikon të shkojë në burg për korrupsionin e tij”.
Në nëntor të vitit 2020, Ilir Meta zbuloi se i kishte nisur një letër Departamentit Amerikan të Shtetit kund Lu. Nuk dihet nëse letrën kundër Lu, e ngjashme me letrën kundër Widhers, Meta e kishte nisur kur ishte kryetar Kuvendi apo President. “Ka pasur një deklaratë, që ambasadori amerikan, ka kërkuar falje në atë kohë, që minoi funksionimin e KED. Ka ardhur 10 ditë për të më kërkuar falje. Ka pasur një letër nga ana ime për institucionet amerikane, për sjelljen e tij të papërgjegjshme, dhe në fund fare tha se më gënjyen socialistët”, ka pohuar Meta.
Në shtator të vitit 2018 ambasadori Lu mbaroi misionin në Shqipëri dhe u largua. Në 22 janar 2020, në Shqipëri mbërriti ambasadorja amerikane Yuri Kim. Përplasjet nisën që ditët e para me Ilir Metën dhe Sali Berishës, pikërisht për shkak të angazhimit të fortë të Yuri Kim në mbrojtje dhe për zbatimin e reformës në drejtësi, të cilën Ilir Meta e shpalli komplot ndërkombëtar.
Në maj të vitit 2020, Ilir Meta shpalli një platformë me 14 pika për reformën në drejtësi, e cila u hodh poshtë nga SHBA-BE, si tentativë për të sabotuar reformën. Disa ditë më pas, ambasadorja Yuri Kim artikuloi një mesazh të fortë teksa tha se “Shpresoj të mos ketë asgjë të vërtetë për thashethemet për një marrëveshje në të fshehtë për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por është e nevojshme, progresi duhet të vazhdojë”.
Konflikti kulmoi kur Ilir Meta dhe Sali Berisha nisën një sulm të egër ndaj kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, i cili ishte i vetmi mes anëtarëve të Gjykatës së Lartë që refuzoi mesazhin e darkës Meta-Berisha në janar të vitit 2012, për të shpallur të pafajshëm Metën, për të cilin prokuroria kërkon dënimin për 2 vite burg për korrupsion. Dvorani votoi kundër pafajësisë së Metës dhe manovrës për ta shpallur video-skandalin në zyrën e Dritan Priftit si montazh. Refuzimi i Dvoranit për t’u përulur para presionit politik mendohet se është edhe arsyeja se sulmit të Metës dhe Berishës kundër tij.
Në prill të vitit 2021, Ilir Meta do të shprehej kështu për Yuri Kim. “Ajo më merr në telefon dhe më thotë “ti zotëri nesër mos bëj zhurmë po qe se këta e bëjnë kështu”. I them “moj zonjë ne kemi bërë një marrëveshje, se ky nuk është as anëtar i gjykatës së Lartë”. “Po ne dimë disa gjëra për ty”, më thotë mua kjo. Ambasadorja i thotë presidentit që dimë ca gjëra për ty. Çfarë dini për mua i nxirrni i thashë, se unë nuk e shkel Kushtetutën. Çfarë ke ti për mua dhe çfarë ka Amerika për mua mund ta nxirrni dhe unë këtë vagabond dhe horr nuk e pranoj. Janë i kam thënë që nëse keni gjë me mua më lajmëroni nëse e keni se unë e di që ju më vrisni nëse doni. Por të paktën, më çoni te Mali me Gropa dhe më lëshoni një raketë që të mos dëmtoni njerëzit e tjerë… Nëse ajo dëshiron të dalë në podium të bëjë fushatë me Ramën le të dalë ne do të mbrojmë zgjedhjet. I kam thënë Donld Lu, jo ti por Sekretari i Mbrojtjes që ka raketat bërthamore, edhe për atë nuk dua t’ja di nëse mendoj se kam të drejtë. Çfarë ka Amerika dhe BE për mua ti nxjerrin”.
Më pas stafetën e sulmeve ndaj Yuri Kim e ka marrë Sali Berisha me oborrin e tij. Sipas Berishës, Kim ndërhynte në punët e PD dhe mashtronte Lulzim Bashën. “Yuri Kim është ambasadorja më e korruptuar që ka shkelur në tokën shqiptare, pas Romana Vllahutin”, shprehej ai.
Berisha zbuloi se ishte ankuar edhe tek Biden për veprimtarinë e Yuri Kim në Tiranë. “Guvernatorja apo ambasadorja. Shkeli kushtetutën e SHBA dhe Shqipërisë. Nuk mund të ndërhysh kurrë në një proces gjyqësor. Është gjëja më e rëndë që mund të bësh. Ndaj unë i kam kërkuar qeverisë së SHBA dhe Biden që të mos lejojë që përfaqësuesja e saj të ndërhy në procese gjyqësore. Ai është shkatërrim i pavarësisë së sistemit gjyqësore”.
Në dhjetor të vitit 2022 Berisha e akuzon Yri Kim për komplot ndaj tij dhe korrupsion. “Në këtë përpjekje do të nxi në historinë e turpit qëndrimi i ambasadores së SHBA, e cila në një akt madhor korruptiv kishte mashtruar qeverinë e vet për korrupsionin imagjinar të Sali Berishës. Bëri gjithçka ti diktojë opozitës kryetarin e saj. Përdori abuzoi dhe shpërdori duke shkelur çdo ligj, çdo konventë ndërkombëtare për ti diktuar opozitës kryetarin. Por ky është viti i opozitës pasi asgjë nuk mposhti dot idealet e demokratëve”.
Në shkurt të vitit 2023, Berisha e akuzoi Yuri Kim se kishte tentuar të manipulonte deputetët e PD.
“Sulmet ndaj opozitës, të McGonigal-it me fustan, krahasuar me McGonigal-in me kollare, si mekanizëm njëri u mor me manipulimin, por nuk është marrë me më pak manipulime kundër opozitës zonja Kim. Duke thirrur deputetët për t’i përpunuar dhe manipuluar. Nuk është marrë me më pak manipulime duke i dërguar Sali Berishës mesazhe kërcënuese të turpshme. Nuk është marrë me më pak manipulime duke përdorur citate të të Enver Hoxhës kundër popullit opozitar”.
Tre vitet e fundit, sulmet, akuzat dhe shpifjet ndaj ish ambasadores Yuri Kim, Berisha ia delegoi të besuarve të tij në SHQUP dhe Tv Syrit.
Disa ditë më parë, Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit Amerikan ka miratuar emërimin e Eric Wendt si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri. Kryezëdhënësi i Berishës, Alfred Lela, i cili rreh gjoksin në oborrin e SHQUP-it si njeri i amerikanëve meqenëse ka punuar disa muaj si banakier në një bar në SHBA, sinjalizon se opozita, d.m.th.
Berisha, nuk do të ngutet për t’i fryrë kosit, duke sulmuar, ndoshta që javët e para, ambasadorin e ri amerikan, në kuadër të traditës 20-vjeçare, duke shpresuar se Eric Wendt, ndryshe nga Widhers, Arvizu, Lu dhe Kim, nuk do t’a sulmojë opozitën dhe as nuk do t’a ftojë atë të hajë bar.
Kryezëdhënësi i Berishës, ndoshta me porosi të këtij të fundit, i ka parashtruar ambasadorit amerikan pesë kërkesa, në formë kushtesh, duke i vizatuar disa vija sjelleje gjatë misionit në Tiranë, sa jodiplomatike aq edhe fyese, si të ishte një oborrtar i SHQUP-it. Teksa ankthi që po reflekton në SHQUP ardhja e ambasadorit të ri amerikan është i kuptueshëm nga trauma 20-vjeçare e raportit me diplomatët amerikanë, ndoshta pyetja e duhur është jo a do t’a sulmojë, por kur do t’a shpallë armik Berisha ambasadorin e ri amerikan Eric Wendt?!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.