A është i fryrë projekti i Porto Romanos?
sh-zëvendëskomandanti i Forcave Detare vë në dyshim shifrat e qeverisë për kapacitetin e portit.
Ish-zëvendëskomandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, ka shprehur dyshime serioze lidhur me kapacitetin real të përpunimit të kontenierëve në portin e ri që qeveria planifikon të ndërtojë në Porto Romano.
Në një reagim publik, ai argumenton se shifra e shpallur nga qeveria – rreth 2 milion TEU në vit – nuk përputhet me parametrat teknikë të projektit dhe me standardet ndërkombëtare të funksionimit të porteve. Sipas tij, infrastruktura e parashikuar nuk e mbështet një kapacitet të tillë.
Meçollari thekson se projekti parashikon një kalatë rreth 400 metra të gjatë për terminalin e kontenierëve. Ndërkohë, sipas statistikave globale të operimit të porteve, përpunimi mesatar është 80–120 mijë TEU në vit për çdo 100 metra kalatë, ndërsa në rastet më optimale arrin deri në 150–180 mijë TEU. Duke u bazuar në këtë rendiment, ai vlerëson se porti i Porto Romanos do të mund të përpunojë maksimumi rreth 500 mijë TEU në vit, shumë më pak se shifra e prezantuar nga qeveria.
Për të ilustruar këtë diferencë, ai sjell si shembull portin e Gioia Tauro në Itali, një nga terminalet më të mëdhenj të kontenierëve në Mesdhe. Ky port ka rreth 5100 metra kalatë dhe përpunon afërsisht 4.5 milion TEU në vit, që përkthehet në një rendiment rreth 90 mijë TEU për çdo 100 metra kalatë. Sipas Meçollarit, nëse Porto Romano synon të arrijë kapacitetin prej 2 milion TEU në vit, do të duhej të kishte të paktën rreth 2000 metra kalatë.

Ish-zëvendëskomandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari,
Ai shton se përpunimi i kontenierëve në një port varet kryesisht nga tre elementë: gjatësia e kalatës dhe numri i anijeve që mund të akomodohen njëkohësisht, niveli i teknologjisë dhe automatizimit në terminal, si dhe hapësirat magazinuese në tokë. Në këtë kuadër, ai argumenton se kapacitetet e parashikuara për Porto Romanon nuk justifikojnë objektivin e shpallur.
“Me 400 metra kalatë nuk mund të përpunohen më shumë se rreth 500 mijë TEU në vit. Për të arritur 2 milion TEU, do të duhej të thyheshin të gjitha rekordet globale të rendimentit të porteve”, thekson Meçollari.
Debati për projektin e Porto Romanos
Ndërkohë, projekti për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano ka hyrë në një fazë të re diskutimesh, pasi pas disa procedurave të dështuara të tenderimit pritet që projekti të rishikohet.
Kryeministri Edi Rama ka këmbëngulur se porti ekzistues i Durrësit duhet të zhvendoset, duke argumentuar se ai nuk mund të shërbejë si nyja kryesore strategjike për Korridorin VIII, një projekt transporti që lidh Italinë me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe më tej me portet e Bullgarisë.
Në një konferencë për shtyp të premten, Rama mohoi se anulimi i tenderit kishte lidhje me presion nga Shtetet e Bashkuara apo nga institucionet e Bashkimit Europian, edhe pse në garë kishin marrë pjesë kompani ndërkombëtare me reputacion të lartë, ndërsa procesi është nën hetim nga SPAK.
Sipas tij, vonesat lidhen kryesisht me rrethanat ekonomike dhe me tërheqjen e një kompanie pjesëmarrëse në garë për shkak të rritjes së kostove.
“Gara është zhvilluar dy herë dhe në të dyja rastet ka pasur interes të madh. Herën e parë kriteret kanë qenë shumë të forta dhe disa kompani nuk arritën të përgatiteshin në kohë. Herën e dytë kemi pasur një koincidencë fatkeqe, pasi kompania që ishte në proces u tërhoq duke argumentuar krizën dhe rritjen e çmimeve”, deklaroi Rama.
Megjithatë, ankesat e kompanive pjesëmarrëse dhe hetimet e nisura nga SPAK kanë shtuar dyshimet se pas ngërçit mund të ketë pasur edhe probleme me mënyrën e zhvillimit të tenderit.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.