Politika

Meta: Reforma në drejtësi përmes konsensusit dhe gjithëpërfshirjes

Gjate-tryezës-për-reformën-në-drejtësi-Foto-Florian-Abazaj-6-525x350Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi të hënën se “reforma në sistemin e drejtësisë kërkon konsensus dhe gjithëpërfshirje”.
Duke marrë fjalën në tryezën e thirrur nga Presidenti i Republikës për reformën në drejtësi, Meta përshëndeti pjesëmarrjen e opozitës në këtë tryezë, ndërsa uroi që ky të jetë një hap i parë në rikthimin e saj në jetën parlamentare, me pjesëmarrjen aktive me reforma të domosdoshme për vendin dhe që nevojiten në kuadër të procesit të integrimit europian që na bashkon të gjithëve pa përjashtim.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi se kjo tryezë është një rast i mirë për të diskutuar e ndarë idetë mbi nevojën e reformimit të sistemit të drejtësisë në vendin tone, jo si një qëllim në vetvete, por si një kërkesë e domosdoshme për një standard të ri të zbatimit të ligjit në vendin tonë.
“Kam besim se pavarësisht ndarjeve dhe preferencave politike, gjithkush nga ne ndan të njëjtën bindje se reformat në sistem janë domosdoshmëri. Reforma në sistemin e drejtësisë duhet të realizohet pa paragjykime. Kjo është gjithashtu një kërkesë e fortë e qytetarëve tanë. Drejtësia e mohuar apo e munguar dëmton cilësinë e jetës së qytetarëve, pengon integrimin e vendit në familjen europiane dhe mbi të gjitha cënon zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Meta.
Meta shprehu domosdoshmërinë e reformimit të sistemit gjyqësor, pasi sipas tij, “shumëkush është i pakënaqur nga performanca e tij”. Në këtë drejtim, ai shprehu bindjen se diskutimi i sotëm do të jetë një kontribut i dobishëm në ndryshimin e kësaj situate. “Që në fillim të këtij viti ne kemi parashtruar nevojën urgjente për realizimin e kësaj reforme kaq të rëndësishme në sistemin e drejtësisë”, tha Meta.
Ai garantoi se Kuvendi do të marrë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë për realizmin e kësaj reforme në bashkëpunim të ngushtë me presidentin, me qeverinë, me institucionet e sistemit të drejtësisë, ndërkohë që besojmë se opozita do të luajë një rol të rëndësishëm në gjithë këtë proces, i cili natyrisht kërkon konsensus për arritjen e atyre standardeve të cilat do të na afrojnë edhe më tej me procesin e anëtarësimit në BE.
Një kontribut për realizimin me cilësinë e duhur të kësaj reforme, sipas Kryetarit të Kuvendit, do të japë edhe përfshirja e grupeve të interesit, e shoqërisë civile dhe publikut, dhe në mënyrë të veçantë, asistenca e ekspertëve vendas dhe të huaj dhe e partnerëve tanë europianë.
“Të gjitha këto janë hallkat e një zinxhiri që duhet të funksionojë si i tillë. Çdo hallkë e munguar është një shans më pak për sukses, dhe suksesi mund të vijë duke respektuar frymën që dikton Kushtetuta në raportet midis pushteteve dhe me asnjë kontroll, duke tentuar gjithëpërfshirje dhe konsensus sa më të gjerë të mundshëm në këtë sipërmarrje jetike, të domosdoshme dhe delikate”, tha Meta.
Në këtë drejtim, ai kërkoi që reforma në gjyqësor të krijojë kushte që sistemi të jetë realisht i pavarur nga politika dhe humoret e saj, dhe të mos vazhdojë të jetë i pavarur nga Kushtetuta dhe ligji, siç ka ndodhur shpesh në segmente të tij”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button