Abazoviç paralajmëron sanksione shtesë kundër Rusisë
“Mali i Zi është i gatshëm të zgjerojë gamën e sanksioneve për të ndjekur deri në fund politikën e jashtme të BE-së. Ne do të monitorojmë situatën me oligarkët rusë dhe do të marrim të gjitha masat në përputhje me ligjin nëse ata vijnë në Mal të Zi. Për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të vendit, ne po kryejmë aktivitete që synojnë luftimin e ndikimeve në Mal të Zi, të cilat më parë rezultuan me dëbimin e një diplomati rus nga Ministria e Jashtme”, tha zv/kryeministri Abazoviç sipas njoftimit.
Ai po ashtu ka thënë se Mali i Zi do të dërgojë ndihmë shtesë humanitare dhe financiare, por edhe ndihmë ushtarake, sapo të përfundojnë proceset e brendshme në vend.
Një ditë më parë Ministria e Jashtme Malit të Zi njoftoi se kishte shpallur person të padëshiruar një diplomat të Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë.
Personi në fjalë është Viktor Antipin, oficer i zbulimit dhe punonjës i Shërbimit Informativ rus.
Antipin, sipas njoftimit të Agjensisë së Sigurimit të Malit të Zi, u takua me përfaqësuesit politikë të Frontit Demokratik, e njohur si parti pro-ruse.
“Arsyeja e marrjes së këtij vendimi është vlerësimi i organeve përkatëse të sigurisë në Mal të Zi për aktivitetet e diplomatit rus, të cilat janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi.
Mali i Zi, vitet e fundit ishte në shënjestrën politike të Serbisë dhe Rusisë, të cilët bënë përpjekje për një grusht shteti në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 për ta parandaluar këtë vend ballkanik të anëtarësohet në NATO.
Gjykimi për grusht shteti në Mal të Zi u cilësua si “gjykimi i shekullit” për shkak të përfshirjes së agjencisë ruse të sigurimit shtetëror në komplotin e dyshuar./ VOA