ABB shënon rekord porosish prej 12.1 miliardë dollarësh, i nxitur nga bumi i qendrave të të dhënave për inteligjencën artificiale
Grupi zviceran i inxhinierisë raportoi rritje prej 40% të porosive në tremujorin e tretë, ndërsa kërkesa për produktet e qendrave të të dhënave u rrit me ritme treshifrore
Grupi zviceran i inxhinierisë ABB po përjeton një bum të shpenzimeve për qendrat e të dhënave që fuqizojnë inteligjencën artificiale, siç njofton Reuters, ndërsa kompania raportoi të martën rezultatet e tremujorit të tretë me porosi rekord prej 12,055 miliardë dollarësh, 40% më shumë se një vit më parë.
Sipas raportimit të Reuters, fitimi operacional para interesave, taksave dhe amortizimit (EBITA) u rrit me 24% në 2.03 miliardë dollarë në tre muajt deri në fund të shtatorit, pak mbi parashikimin e analistëve prej 2.0 miliardë dollarësh, ndërsa të ardhurat u rritën me 14% në 9.70 miliardë dollarë. ABB, e cila prodhon pajisje elektrifikimi dhe automatizimi për fabrika, anije dhe porte, po sheh kërkesë të fortë për produkte si shpërndarja e energjisë dhe sistemet e ftohjes që përdoren në qendrat e të dhënave.
Kompania bëri të ditur se gjatë tremujorit porositë për produktet e qendrave të të dhënave shënuan rritje treshifrore, duke vazhduar të njëjtin trend si në tremujorin e dytë. Drejtori ekzekutiv Morten Wierod theksoi marrjen rekord të porosive dhe avancimin e pozicionit të kompanisë në teknologjinë e rrymës së vazhduar, me lançimin e portofolit të ri Infinitus Direct Current për efikasitet energjetik në qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale.
Ndër zhvillimet e tjera, ABB njoftoi edhe një sipërmarrje të përbashkët të re me Mitsubishi Electric në Japoni, ndërsa fluksi i parave nga aktivitetet operative u rrit me 5% në 1.86 miliardë dollarë. Për vitin e plotë, kompania pret rritje të të ardhurave në rangun e ulët dyshifror dhe përmirësim të marzhës operative.
Sipas Reuters, vërshimi i shpenzimeve për inteligjencën artificiale dhe qendrat e të dhënave po e mbështet ekonominë globale, duke e ndihmuar atë t’i bëjë ballë goditjes energjetike nga lufta në Lindjen e Mesme, siç vlerësoi javën e kaluar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, megjithëse një rivlerësim i përfitimeve nga kjo teknologji mund të frenojë investimet.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.