Abissnet Superiore: Bratu para Egnatias: Kemi një plan, gjithçka për të fituar
Trajneri i Partizanit, Florin Bratu, doli sot në konferencë shtypi, ku foli për sfidën e nesërme me Egnatian, që do të transmetohet në RTSH. Ai theksoi se e njeh kundërshtarin dhe e vlerëson për gjendjen që ka, por u shpreh se skuadra e tij do të bëjë gjithçka për fitoren në Rrogozhinë.
Rumuni i stolit të kuq komentoi edhe fitoren e Partizanit U-19 në UEFA Youth League, për rëndësinë e lojtarëve të rinj në klub. Partizani ka 4 pikë pas 4 javëve të para të kampionatit.
Sa i trishtuar ndjeheni pas asaj humbje ndaj Dinamo City?
Të jem i sinqertë, tashmë e kam harruar atë ndeshje. Duhet ta lëmë pas edhe pse skuadra zhvilloi një lojë të mirë përballë Dinamos. Bëm disa gabime individuale, të cilat na ndryshuar lojën.
Çfarë mund të korrigjoni tani për përballjen ndaj Egnatias një prej ekipeve më të mira në letër?
Po, është kundërshtari më i mirë i tre viteve të fundit, pasi ka fituar titullin kampion. Mendoj se skuadra ime është gati për këtë ndeshje dhe të tregojmë atë që kemi mësuar nga ndeshja e fundit me Dinamon. Ndaj Egnatias do të përpiqemi të bëjmë gjithçka për të fituar, sepse na duhen pikët edhe pse do të përballemi me skuadrën më të mirë të kampionatit shqiptar në këtë moment.
Keni një plan për të marrë rezultat pozitiv ndaj Egnatias?
Po, sigurisht që kemi një plan. Kemi analizuar mjaft mirë kundërshtarin. Unë gjithashtu isha prezent në stadiumin “Elbasan Arena” për të ndjekur ndeshjen Elbasani–Egnatia. Jemi përgatitur si zakonisht gjatë gjithë javës për të dhënë maksimumin për këtë ndeshje.
Komenti juaj për fitoren e ekipit Partizani U-19 në UEFA Youth League?
Jam shumë i lumtur për ata, sepse kanë luftuar dhe janë shpallur kampion të Shqipërisë. Mendoj se pjesmarrja në kompeticionin UEFA Youth League është shumë i rëndësishëm për klubin. Ne kemi në skuadër disa lojtarë të rinj në moshë, të cilët janë pjesë e ekipeve të akademisë si Vata, Himallari, Hyseni. Jam i mërzitur për Malajn, i cili është i dëmtuar por e pres shumë shpejt të rikthehet në skuadër. Na duhet të rritemi të gjithë së bashku, sepse është shumë e rëndësishme për të ardhmen e klubit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.