☁️
Tiranë 13°C · Vranët 29 Tetor 2026
S&P 500 7,699 ▼0.58%
DOW 52,211 ▼0.5%
NASDAQ 26,109 ▼1.66%
NAFTA 102.15 ▼0.61%
ARI 4,025 ▼0.65%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1146 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9239 EUR/ALL 90.8850 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5429 EUR/TRY 55.5644 EUR/JPY 176.00 EUR/CAD 1.5622 EUR/USD 1.1146 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9239 EUR/ALL 90.8850 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5429 EUR/TRY 55.5644 EUR/JPY 176.00 EUR/CAD 1.5622
₿ CRYPTO
BTC $80,839 ▼ -0.34% ETH $2,329 ▼ -1.15% XRP $1.2827 ▼ -3.31% SOL $100.2900 ▼ -1.77%
S&P 500 7,699 ▼0.58 % DOW 52,211 ▼0.5 % NASDAQ 26,109 ▼1.66 % NAFTA 102.15 ▼0.61 % ARI 4,025 ▼0.65 % S&P 500 7,699 ▼0.58 % DOW 52,211 ▼0.5 % NASDAQ 26,109 ▼1.66 % NAFTA 102.15 ▼0.61 % ARI 4,025 ▼0.65 %
EUR/USD 1.1146 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9239 EUR/ALL 90.8850 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5429 EUR/TRY 55.5644 EUR/JPY 176.00 EUR/CAD 1.5622 EUR/USD 1.1146 EUR/GBP 0.8373 EUR/CHF 0.9239 EUR/ALL 90.8850 EUR/MKD 61.4970 EUR/RSD 117.5429 EUR/TRY 55.5644 EUR/JPY 176.00 EUR/CAD 1.5622
29 Tet 2026
Breaking
Opinion

Akademiku Luan Omari, kujtesa e mendimit juridik shqiptar

Akademiku Luan Omari, kujtesa e gjallë e një shekulli të mendimit juridik shqiptar

Nga ILIR ÇUMANI

Ndarja nga jeta e akademikut, Prof. dr. Luan Omari, në moshën 101-vjeçare, është një lajm i trishtë, një humbje e madhe për shkencën dhe kulturën shqiptare.

Është një çast reflektimi për vlerën e dijes, për përmasat e një jete intelektuale dhe përgjegjësinë që kemi ndaj trashëgimisë së njerëzve që i kanë shërbyer vendit me mendjen dhe veprën e tyre.

Një shekull jetë, është një rrugëtim i gjatë kushtuar dijes, studimit dhe formimit të brezave të juristëve, duke u shnderruar në diçka më shumë se një histori personale, për tu bërë pjesë e historisë së vetë shoqërisë.

Akademiku Luan Omari ishte një nga ata intelektualë të rrallë urtakësh me peshë të veçantë nga ajo armatë e vogël e inteligjencës shqiptare që e lidhën jetën e tyre me një fushë të rëndësishme të zhvillimit të vendit, me shkencën juridike, mendimin kushtetues dhe studimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve.

Në këtë rrugëtim, ai ndërtoi një profil të spikatur akademik, me hulumtime dhe studime të shumta, duke i kushtuar dekada të tëra kërkimit shkencor, mësimdhënies dhe zhvillimit të mendimit juridik shqiptar.

Por rëndësia e një dijetari si Ai, nuk qëndron vetëm në atë që shkruan, por edhe në aftësinë për të ndikuar në mënyrën se si të tjerët mendojnë, analizojnë dhe e kuptojnë botën që i rrethon.

Vepra e akademikut Luan Omari i kapërcen kufijtë e librave dhe të auditorëve. Ajo gjendet në historinë e Fakultetit të Drejtësisë, në zhvillimin e institucioneve akademike, në studimet kushtuar së drejtës publike e kushtetuese dhe në formimin e brezave të tërë juristësh, studiuesish e intelektualësh.

Si anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si profesor dhe si studiues i angazhuar në debatet kushtetuese të vendit, ai ishte pjesë e një rrugëtimi të gjatë që lidhet ngushtë me zhvillimin e mendimit juridik dhe me përpjekjet për ndërtimin e institucioneve demokratike.

Jeta e tij përshkoi një shekull ndryshimesh të mëdha historike, ku ai ishte dëshmizar dhe protagonist i rëndësishëm sesi ndryshuan shoqëria, institucionet, sistemet dhe mënyrat e të menduarit.

Në këtë rrjedhë të gjatë kohore, ai mbeti i lidhur me studimin e së drejtës, duke kontribuar me përvojën dhe formimin e tij në një fushë ku dija, argumenti dhe përgjegjësia publike kanë një rëndësi të veçantë.

Sot, në çastin e lamtumirës, titujt akademikë dhe nderimet institucionale marrin kuptimin e tyre më të plotë kur shihen në dritën e veprës që përfaqësojnë.

Dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe Çmimi i Karrierës Akademike janë shprehje e vlerësimit për një jetë të gjatë në shërbim të shkencës dhe kulturës shqiptare.

Megjithatë, trashëgimia më e qëndrueshme e një intelektuali nuk matet vetëm me nderimet që merr gjatë jetës, por me rëndësinë që ruan mendimi i tij, me vlerën që mbart vepra e tij dhe me aftësinë e saj për t’u bërë pikë referimi edhe për brezat që do të vijnë dhe që nuk patën mundësinë ta takonin.

Largimi i akademikut Luan Omari nuk është vetëm një humbje njerëzore dhe akademike, por një moment që na kujton se kujtesa e një kombi ndërtohet përmes njerëzve që i japin përmbajtje historisë së tij intelektuale.

Një shoqëri që di të nderojë dijetarët e vet, di të nderojë edhe dijen, di të ruaj më së miri veprën e tyre si pjesë të identitetit të vet.

Vitet biologjike te një jete mund të përfundojnë, por mendimi nuk shuhet bashkë me jetën e atij që e krijoi. Ai vazhdon të jetojë në libra, në institucione, në kujtesën e studentëve dhe në pyetjet që brezat e ardhshëm do t’i drejtojnë së shkuarës.

Akademiku Luan Omari mbylli një rrugëtim 101-vjeçar, por vepra e tij mbetet pjesë e rrugëtimit të shkencës juridike shqiptare.

Në këtë ditë dhimbjeje, përulja dhe mirënjohja janë mënyra jonë për të nderuar një jetë të gjatë kushtuar dijes.

Le të mbetet kujtimi i tij jo vetëm një shenjë e respektit për të shkuarën, por edhe një nxitje për të ardhmen: për të studiuar më thellë, për të menduar më lirshëm dhe për ta vlerësuar dijen si një nga pasuritë më të çmuara të shoqërisë.

Lamtumirë Mik i paharruar!

Prehu në në paqen e merituar akademik Luan Omari!

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.