Aksionet “offshore”, Cameron: Fajësomëni mua!
I ndodhur nën një presion të madh politik, mediatik por edhe nga publiku vendas, kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar se “ai është fajtor për mënyrën sesi trajtoi çështjen e aksioneve në një fond offshore”, pronë e babait të tij, aksione që ai i kishte shitur përpara se të bëhej kryeminister në 2010.
Cameron deklaroi në një forum të konservatorëve britanikë se do të duhej ta kishte përballuar më mirë krizen e shkaktuar nga skandali i taksave të “Panama Papers”.
“Nuk ka qenë një javë e mirë dhe nuk duhet fajësuar askush tjetër veçse unë. Do të publikoj shumë shpejt dokumentat e pagimit të taksave, jo vetëm për këtë vit, por edhe për vitet pararendase, duke u bërë i pari kryeministër dhe lider politik që bën një gjë të tillë, që është gjëja e duhur”, tha Cameron.
Ndërkohë udhëheqësi laburist i opozitës, Jeremy Corbyn deklaroi se “kryeministri ka gënjyer publikun dhe ka humbur besimin e britanikëve”. Sondazhet tregojnë se sot shumica e britanikëve nuk i besojnë më si një javë më parë kryeministrit Cameron.
Një protestë u zhvillua në Londër përpara ndërtesës së Kryeministrisë në Doëning Street.
Edhe pse ky skandal e ka dëmtuar rëndë imazhin e shefit të qeverisë britanike, besohet se ka pak gjasa që kjo të ndikojë në vazhimin e mandatit të tij si kryeministër. Gjithçla ndodhi për të në një kohë të gabuar, të cilën ai dështoi ta administrojë siç duhet në marrëdhëniet me publikun.