Ekonomia

Shqipëria ka lënë pas krizën ekonomike globale

Në Tiranë nisi punimet konferenca me temë ”Dialog i nivelit të lartë mbi politikat për klimën e biznesit dhe tërheqjen e Investimeve”, ku i pranishëm është edhe kryeministri i vendit Edi Rama.

Konferenca mblodhi përfaqësues të biznesit, anëtarëve të qeverisë si dhe përfaqësues të trupit diplomatik, dhomave bilaterale të tregtisë dhe investitorë të pranishëm në Shqipëri. Ahmetaj tha se viti 2015 ka qenë një vit rekord në totalin e investimeve të huaja në vend.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj theksoi në fjalën e tij se Shqipëria ka lënë pas krizën ekonomike globale. Ai ndau me të pranishmit një shifër që sipas tij është mjaft pozitive, që ka të bëjë me konsumin. Për të tretin tremujor radhazi konsumi sipas Bankës së Shqipërisë, tha Ahmetaj paraqitet në rritje. Ndërsa ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, tha se përmirësimi i klimës së biznesit nga qeveria është prioritet.

Përfaqësuesja e Bankës Botërore (BB), Tahseen Sayed duke vënë në dukje se Shqipëria ka bërë ndryshim transformues në këto vite, tha se vendit i duhet një rritje ekonomike rreth 4.5 % që të arrijë standardet mesatare të mirëqenies të BE-së. Po ashtu tha ajo, asaj i duhet të diversifikojë bazën e vet të eksporteve me qëllim që të ruajë ritmin e eksporteve. Lidhur me tërheqjen e investimeve të huaja, Sayed bëri të ditur se performanca e IHD-ve mbetet pozitive në vlerë absolute, por është pas disa vendeve të rajonit.

Sayed siguroi për mbështetjen e BB për qeverinë shqiptare në drejtim të reformave që përmirësojnë klimën e biznesit. “Ne mbështesim qeverinë për objektivin e saj për të shndërruar Shqipërinë në një destinacion global interesant për investimet, por duhet siguruar progresi në reforma”, tha ajo. Po ashtu ajo evidentoi se bankat janë të mirë kapitalizuara dhe ka provigjione të mjaftueshme.

Përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, Jens Reinke duke vlerësuar si pozitive ecurinë e marrëveshjes së qeverisë shqiptare me Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha se qeveria duhet të fokusohet në tre drejtime për të pasur një zhvillim ekonomik. Reforma në sistemin e drejtësisë, përmirësimi i punës së dy autoriteteve, asaj doganore e tatimore si dhe një qëndrueshmëri dhe parashikueshmëri në politikat rregullatore, janë tre pikat të cilat përfaqësuesi i FMN-së i cilësoi si të domosdoshme për tu përmirësuar nga ana e qeverisë.

Sipas tij, reforma në sistemin e drejtësisë do të krijojë një mjedis shumë më të mirë për investitorët e huaj. “Shumë prej akuzave për sistemin e drejtësisë mund të mos jenë të vërteta por për aq kohë ssa për këtë sistem mungon besimi kjo ]on në përceptimin më të ulët për klimën e biznesit. Shqipëria nuk po ecën mirë në sisetmin e të ardhurave. Biznesi nuk ka besim tek administrata tatimore. Duhet të ketë pagues të mirë të taksave dhe të tatimeve dhe duhet të ketë një mënyrë më të lehtë për të bërë këtë. Administrata Tatimore duhet të përmirësoj punën përsa i përket llogaridhënies dhe luftës kundër korrupsionit. Ka ndryshime të shpeshta të rregullave. Shqipëria duhet të vazhdojë me përmirësimin e sistemit rregullator. Shumë biznese lobojnë në favor të disa ideve të reja dhe disa prej tyre përkthehen në ndryshime që nuk diskutohen si duhet dhe plotësisht”, deklaroi Reinke.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button