Alarm për bombë në shkollën fillore në Leshak, evakuohen nxënësit dhe mësimdhënësit
Një kërcënim për bombë i dërguar me email në shkollën "Stana Baçanin" në Leshak të Leposaviqit detyroi evakuimin e nxënësve dhe stafit; Policia e Kosovës është në vendngjarje dhe pritet ekipi i specializuar për kontrollin e objektit.
Një alarm për bombë ka detyruar mëngjesin e sotëm evakuimin e nxënësve dhe mësimdhënësve të Shkollës Fillore “Stana Baçanin” në fshatin Leshak të Leposaviqit, pasi në adresën elektronike të shkollës mbërriti një mesazh ku pretendohej për praninë e një mjeti shpërthyes, siç njofton Radar Report.
Nxënësit e turnit të mëngjesit u dërguan në shtëpi, ndërsa njësitë e Policisë së Kosovës dolën menjëherë në vendngjarje dhe po sigurojnë zonën përreth shkollës. Rastin e ka konfirmuar për media zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Sipas raportimit të Radar Report, Policia po pret arritjen e ekipit të specializuar nga Prishtina, i cili do të kontrollojë objektin për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një alarm të rremë. Deri në këto momente nuk ka konfirmim se në shkollë është gjetur ndonjë mjet shpërthyes.
Kërcënime të ngjashme për vendosjen e bombave janë pranuar mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:00, edhe në adresat elektronike të dy shkollave fillore në Lebanë të Serbisë, “Vuk Karadžić” dhe “Radovan Kovačević”.
Hetimet për rastin po vazhdojnë, ndërsa informacione të reja priten pas përfundimit të kontrollit policor në objektin e shkollës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.