Albin Kurti kërkon bashkëpunim me opozitën për formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, ndërkombëtarët…
Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shprehu dje gatishmëri për bashkëpunim me partitë e tjera për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri. Pas një ngjarje për shënimin e 27-vjetorit të çlirimit të Kosovës, Kurti u pyet nga gazetarët nëse është i gatshëm për bashkëpunim me partitë e tjera për formimin e institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Kurti tha se sa i përket konstitutimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë mund të nisin bisedimet pasi të ketë përfunduar numërimi i votave. Ai tha se LVV-ja, si fituese e zgjedhjeve të 7 qershorit, duhet të jetë “bartëse e themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”. “Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit edhe sa i përket Qeverisë”, tha Kurti.
Çështja e Presidentit
Ndërkaq, sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re, Kurti kujtoi se një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese kërkon që 80 deputetë të marrin pjesë në votim për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. “Pra, jemi të gatshëm, të vullnetshëm, të interesuar për komunikim e bashkëpunim, por nuk asgjë e re nga ana jonë”, tha Kurti, duke përmendur se muaj më parë, LVV-ja kishte bërë oferta për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës me qëllim që të gjendej zgjidhje për çështjen e presidentit. Për shkak të moszgjedhjes së një presidenti të ri brenda afatit kushtetues, Kosova shkoi në zgjedhje. Aktualisht, Albulena Haxhiu nga LVV-ja është ushtruese e detyrës së presidentit, pasi ish-presidentja Vjosa Osmani e përfundoi mandatin pesëvjeçar presidencial në prill. “Ju e dini që në këtë pranverë, si Qeveri kemi bërë oferta të jashtëzakonshme për opozitën. Ne kemi propozuar, ata kanë refuzuar.
Shpresojmë që kësaj radhe të jetë ndryshe. Pra, për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11 nuk duhet ne të ndryshojmë sepse ne ishim ata që morëm iniciativa”, tha Kurti, duke shtuar se pret që qasje të tillë tani të ketë nga opozita. Sipas rezultateve paraprake, LVV-ja e Kurtit ka fituar zgjedhjet e 7 qershorit duke marrë 42.47 për qind të votave. E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.43 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 16.96 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.51 për qind dhe Lista Serbe me 6.76 për qind. Nga PDK-ja kanë shprehur gatishmëri për bashkëpunim sa i përket funksionalizimit të institucioneve të reja, por kanë kërkuar që kjo të bëhet përmes një marrëveshjeje politike. Nga forca e tretë më e madhe politike në Kosovë, LDK-ja, kanë thënë se çdo vonesë drejt një marrëveshjeje për institucionet e reja është sinjal i keq, duke theksuar se nisma për bashkëpunim duhet të vijë nga fituesja e zgjedhjeve, LVV-ja e Kurtit. Ndërkaq, nga Aleanca e kanë përjashtuar mundësinë e një marrëveshjeje me LVV-në, por kanë thënë se sa i përket Qeverisë së re, preferojnë që ajo të bëhet përmes një koalicioni të partive që deri tani kanë qenë në opozitë. Teksa numërimi i votave po vazhdon, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se planifikon që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve më 26 qershor dhe t’i certifikojë më 6 korrik, por këto afate janë vetëm planifikime, pasi do të varet edhe nga ankesat që mund të ushtrojnë palët lidhur me procesin.
Ambasadori gjerman flet për rrugën e Kosovës drejt BE, NATO dhe KiE
Nga ana tjetër, ambasadori gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph foli dje për rrugën e Kosovës drejt BE-së, NATO-s dhe Këshillit të Evropës. Rudolph u shpreh se Kosova fillimisht duhet t’i formojë institucionet e saja, pasi në këtë mënyrë do ta kishin më lehtë ta mbrojnë dhe ta promovojnë rastin e Kosovës para miqve të tyre që mund të kenë ende hezitime. “Pikërisht për këtë arsye ne jemi këtu. Por kjo më kthen te një pikë që e kam theksuar edhe më parë. Që ne të mund të mbrojmë dhe promovojmë rastin e Kosovës para miqve tanë që mund të kenë ende hezitime, është shumë më e lehtë kur dëgjojmë një zë të vetëm nga Kosova, që thotë: ‘Kjo është ajo që duam dhe kjo është ajo që do të bëjmë’. Problemi është se që nga shkurti i vitit 2025 kemi qenë në një cikël të vazhdueshëm vështirësish për konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit. Kemi pasur tre procese zgjedhore brenda rreth 18 muajsh. Çfarëdo tjetër që mund të bëjmë, kjo është gjëja e parë që duhet të zgjidhet këtu në Kosovë”, tha Rudolph.




Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.