Kamberi: Politikanët serbë vazhdojnë të ëndërrojnë rikthimin e kontrollit mbi Kosovën
Bartësi i listës shqiptare në Luginën e Preshevës, Shaip Kamberi, ka kritikuar klasën politike në Serbi, duke thënë se politikanët serbë vazhdojnë të ushqejnë shpresa imagjinare për rikthimin e kontrollit mbi Kosovën.
Kamberi, në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ka deklaruar se politika serbe vazhdon të mbështetet në mite mesjetare dhe në atë që ai e cilëson si ëndërr kolonialiste, në vend që të ndërtojë marrëdhënie të mira me Kosovën dhe shqiptarët në Luginën e Preshevës, transmeton KosovaPress.
“Ata vazhdojnë me ëndrrën e vet kolonialiste, me atë qe e kanë humbur Kosovën me një shpresë të imagjinuar për ta rikthyer kontrollin mbi Kosovën, dhe me politikën në të cilën mbizotërojnë mitet e mesjetës”, ka deklaruar Kamberi.
Ai ka theksuar se asnjë klasë politike në Serbi deri më tani nuk ka arritur të zhvillojë një qasje strategjike që do të mundësonte përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe shqiptarët.
“Pra asnjë klasë politike deri më tani në Serbi nuk ka arritur të ndërtojë një thellësi politike me të cilën do të mendojnë në mënyrë strategjike, që të relaksojë në radhë të parë raportet me Kosovën, të relaksojë raportet me shqiptarët në Luginë të Preshevës, të ndërtojë raporte më të mira”, është shprehur Kamberi.
Sipas tij, politika në Serbi vazhdon të mbetet peng i së kaluarës, duke mos arritur të krijojë një qasje që do t’i kontribuonte normalizimit të marrëdhënieve në rajon.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.