Aleanca transatlantike është kthyer/ Biden në konferencën e Mynihut, hap një kapitull të ri
Presidenti amerikan, kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministri britanik Boris Johnson dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ishin të pranishëm në konferencë. Vetë Biden, iu drejtua për të parën herë audiencës evropiane si president dhe kishte përpara misionin për të hedhur pas krahëve qasjen e paraardhësit të tij ndaj kontinentit të vjetër. Dhe kjo u bë e qartë që në fjalët e para të tij ndërkohë që është vlerësuar edhe nga kancelarja Merkel.
“Multilateralizmi është rritur pas ndryshimit në qeverinë amerikane. Administrata Biden e ka demonstruar tashmë këtë me vendimet e saj të para; rikthimin në marrëveshjen e Parisit për klimën, rikthimin në OBSH etj”.
Konferenca e Mynihut, e drejtuar nga Volfgang Ischinger, ka qenë forumi më i rëndësishëm për politikën ndërkombëtare të sigurisë për më shumë se 50 vjet. Qindra pjesëmarrës normalisht marrin pjesë në takimin shumë ditor, duke përfshirë krerë të shteteve dhe qeverive, si dhe ministra të jashtëm dhe të mbrojtjes. Por kjo është e para herë që ajo mbahet në formë virtuale, për shkak të pandemisë.