Alta Banka hap edhe degën në Prilep: nga e hëna klientët pa kartelë mund të tërheqin deri në 20.000 denarë
Banka Popullore njofton zgjerimin e disponueshmërisë së shërbimeve për klientët e Alta Bankës: vazhdojnë punën edhe filialet në Strumicë e Tetovë dhe dega në Shkup, ndërsa bankimi elektronik funksionon me kufij të përcaktuar
Nga e hëna, 16 nëntor, nis punën edhe ekspozitura e “Alta Banka” AD Manastir në Prilep, siç njofton Banka Popullore, sipas njoftimit të përcjellë nga mediat maqedonase, në kuadër të zgjerimit të disponueshmërisë së shërbimeve bankare për klientët e saj.
Në degën e Prilepit, klientët që kanë llogari pagese, por nuk kanë kartelë pagese, mund të tërheqin para të gatshme deri në 20.000 denarë në një periudhë dyjavore, sipas kufirit të përcaktuar. Vazhdojnë të punojnë edhe filialet e bankës në Strumicë dhe Tetovë, si dhe ekspozitura në Shkup, në qendrën tregtare “Biser”, ku klientët mund të tërheqin para brenda kufijve, të paguajnë shërbimet komunale, të shlyejnë kredi dhe të kryejnë nevoja të tjera.
Nga 10 nëntori klientët mund të përdorin sërish bankimin elektronik dhe mobil. Kufiri është 15.000 denarë në javë për ata me kartela pagese dhe 20.000 denarë në dy javë për ata pa kartela. Kufijtë vlejnë në total për të gjitha llogaritë e klientit dhe përfshijnë pagesat me kartelë, transaksionet në internet, tërheqjet nga bankomatet dhe sportelet, si dhe bankimin elektronik dhe mobil.
Përjashtim bëjnë prurjet e reja: individët mund të disponojnë pa kufizim me mjetet e reja në llogaritë e tyre në Alta Banka, nëse ato vijnë nga llogari pagese në banka të tjera ose nga ofrues të tjerë të shërbimeve të pagesave. Për kompanitë që në tre muajt e fundit kanë paguar rregullisht paga përmes bankës, është mundësuar pagesa e pagave bashkë me tatimet dhe kontributet përkatëse.
Banka Popullore thekson se vazhdon ta ndjekë me kujdes gjendjen dhe të marrë masa për qasje më të lehtë të klientëve te mjetet e tyre.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.