Anijet e reja patrulluese, ‘Petar I Njegoš’ dhe ‘Petar II Njegoš’, shtylla e Marinës së Malit të Zi
Dy anijet patrulluese të blera dhe të ndërtuara në Francë do të jenë bërthama dhe shtylla e forcave detare të Ushtrisë së Malit të Zi, me pajisje moderne dhe top 40 mm; e para pritet të mbërrijë në ujërat malazeze në maj 2027.
Dy anijet e reja patrulluese “Petar I Njegoš” dhe “Petar II Njegoš”, të blera dhe të ndërtuara në Francë, do të jenë bërthama dhe shtylla e forcave detare të Ushtrisë së Malit të Zi. Kjo do të bëhet e mundur sapo të përmbyllet faza përfundimtare e pajisjes dhe testimeve të tyre në ujë.
Bëhet fjalë për anije patrullimi shumëfunksionale, të afta për detyra luftarake dhe jo-luftarake. Kapiteni i korvetës Danko Mandić deklaroi se misioni kryesor i tyre do të jetë patrullimi i zonave të caktuara detare, grumbullimi i të dhënave dhe ndjekja e situatës në sipërfaqen e ujit, në hapësirën ajrore përreth dhe nën ujë.
Anijet do të pajisen me pajisjet më moderne të brezit të fundit, çka përfaqëson një hap teknologjik përpara për marinën malazeze. Armatimi kryesor është topi 40 mm, por duke qenë anije modulare, ato mund të pajisen edhe me lloje të tjera armatimi. Sensorët përfshijnë radare, sisteme optoelektronike dhe sonar për ndjekjen e situatës nënujore.
Gjenerali francez Gael Diaz De Tuesta, përfaqësues i një agjencie qeveritare franceze, tha se dizajni dhe pajisja janë përshtatur me kujdes për nevojat specifike të marinës malazeze, duke kombinuar teknologjitë e mbikëqyrjes dhe të veprimeve luftarake. Sipas tij, këto anije do t’i mundësojnë Malit të Zi epërsi detare në Adriatik dhe Mesdhe, do të forcojnë kapacitetet e tij detare në kuadër të NATO-s dhe kontributin operativ ndaj Aleancës. “Në NATO u kushtohet shumë më tepër vëmendje atyre që veprojnë sesa atyre që vetëm flasin, dhe ju tani e tutje pa dyshim do të jeni ndër ata që veprojnë,” u shpreh ai.
Aktualisht anija është në fazën përfundimtare të pajisjes. Kanë mbetur testimet në port të të gjitha sistemeve, si dhe stërvitja kolektive e ekuipazhit në shkurt dhe mars. “Petar I Njegoš” pritet të hyjë në ujërat malazeze me shumë mundësi në maj 2027, ndërsa anija e dytë disa muaj më vonë.
Burimi: RTCG



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.