Ansambli Kombëtar sjell traditën shqiptare në Itali, programi
Kënga, vallja, kostumet dhe ngjyrat e traditës shqiptare do të udhëtojnë në Itali përmes një turi artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili do të prezantojë vlerat e trashëgimisë kulturore shqiptare në katër qytete italiane.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur në rrjetet sociale kalendarin e aktiviteteve, duke e cilësuar turin një festë që lidh shqiptarët me rrënjët dhe kulturën e tyre.
“Katër qytete, katër mbrëmje plot këngë, valle, ngjyra dhe emocione, në një festë që bashkon shqiptarët me rrënjët dhe kulturën e tyre”, shkruan Rama.
Turi artistik nis më 19 shtator në Brescia, për të vijuar më 20 shtator në Torino, më 21 shtator në Pordenone dhe më 22 shtator në Rovereto.
Përmes repertorit të tij artistik, Ansambli Kombëtar do të sjellë në skenat italiane pasurinë e folklorit shqiptar, duke përcjellë këngët, vallet, kostumet dhe traditat e krahinave të ndryshme të Shqipërisë.
Aktivitetet synojnë të shërbejnë edhe si një urë kulturore mes komunitetit shqiptar në Itali dhe vendit të origjinës, duke promovuar identitetin, trashëgiminë dhe kulturën shqiptare përmes artit.
Turi zhvillohet në kuadër të aktiviteteve kulturore që synojnë forcimin e lidhjeve me diasporën shqiptare dhe promovimin e kulturës shqiptare jashtë vendit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.