Apeli konfirmon aktakuzën ndaj Fikrim Damkës për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PS.nr.36/2025, të datës 16.02.2026, dhe vendosur që çështja penale ndaj të pandehurve F.D. dhe B.K., për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, paragrafi 2, nën paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK, të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor.
Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PS.nr.36/2025, të datës 16.02.2026, pas shqyrtimit të kundërshtimeve të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve të lartcekur, kjo gjykatë ka hedhur aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS.nr.76/2023, të datës 04.07.2025 dhe ka pushuar procedurën ndaj të njëjtëve, me arsyetimin se nuk ishin përmbushur kushtet për vazhdimin e procedurës penale në mungesë të provave.
Gjykata e Apelit e Kosovës, Departamenti Special, me aktvendimin PN.S.nr.44/2026, të datës 19.10.2026, ka aprovuar ankesën e PSRK, të paraqitur më 25.03.2026, duke e ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, PS.nr.36/2025, të datës 16.02.2026, ashtu që ka konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, PPS.nr.76/2026, të datës 04.07.2025, ndaj të pandehurve F.D. dhe B.K., për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414, paragrafi 2, nën paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK.
Kolegji gjykues ka vlerësuar se aktvendimi i shkallës së parë është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale, duke konstatuar shkelje esenciale sipas nenit 384 të Kodit të Procedurës Penale. Gjithashtu, ka konstatuar se, bazuar në provat e çështjes në këtë fazë të procedurës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen dhe se provat janë mbledhur e siguruar në përputhje me ligjin. Andaj, Gjykata e Apelit ka vendosur që procedura penale ndaj të njëjtëve të vazhdojë në fazën e shqyrtimit gjyqësor. /Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.