Arratisje spektakolare nga makina e policisë në Michigan – Shihni videon
Një video e pazakontë që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale ka sjellë në qendër të vëmendjes një incident të ndodhur në Michigan, ku një grua arriti të arratiset nga makina e policisë përmes dritares së pasme, në një skenë që shumëkush e ka krahasuar me filma aksioni.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin Muskegon Heights, ku sipas autoriteteve, 38-vjeçarja Kendra Aney, e cila ishte në lirim me kusht (parole), u vu në pranga pasi rezultonte me urdhër arresti për shkelje të kushteve të lirimit. Policia bëri të ditur se ajo ishte ndaluar pas një kontrolli në një automjet të parkuar pranë një biznesi të braktisur, në zonën e Norton Avenue dhe Peck Street, pasditen e së shtunës, më 28 mars.
Sipas njoftimit zyrtar, oficerët e policisë kishin vendosur Aney në sediljen e pasme të makinës së patrullës, e prangosur dhe nën mbikëqyrje. Por në mënyrë të papritur, ajo arriti të shfrytëzojë një moment pakujdesie dhe të dalë nga dritarja e hapur e automjetit, duke u larguar me vrap nga vendngjarja. Pamjet e kësaj arratisjeje u filmuan dhe më pas u shpërndanë gjerësisht në internet, duke u bërë virale.
Vetëm pak orë më vonë, rreth orës 7:30 të mbrëmjes, policia mori një raport për një rast vjedhjeje me thyerje që kishte ndodhur më herët gjatë ditës, rreth orës 4:30. Autoritetet dyshojnë se e njëjta grua, e arratisur nga makina e policisë, mund të jetë përfshirë edhe në këtë incident.
Të dhënat nga Departamenti i Korrektimit të Michiganit tregojnë se Aney ishte larguar nga programi i lirimit me kusht që më 12 janar, ndërkohë që vuante dënimin për shpërndarje ose prodhim të lëndëve narkotike.
Pas kërkimeve, ajo është arrestuar sërish dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në zyrën e Sherifit të qarkut Muskegon, pa të drejtë lirimi me kusht. Ndaj saj rëndojnë akuza për pengim të drejtësisë dhe shkelje të kushteve të lirimit.
Rasti ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi procedurat e sigurisë gjatë transportimit të personave të arrestuar, ndërsa videoja vazhdon të shpërndahet dhe të komentohen gjerësisht nga publiku.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.