Arrestohet magazinieri dhe roja i Rezervave të Shtetit
Dy punonjës së Drejtorisë Rajonale të Rezervave të Shtetit janë arrestuar nga policia e Tiranës. Në pranga ka përfunduar: Ervis Lako, 32 vjeç, me detyrë magazinier si dhe Arben Topçiu, 48 vjeç, me detyrë roje.
Ata u arrestuan pas një video të publikuan në emisionin investigativ “Stop”, në Tv Klan ku një qytetar pas disa takimeve me magazinierin, arrin të blejë nën dorë, një motor “vespa”.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Ervis Lako, i ka marrë shumën prej 10.000 lekë të reja një shtetasi, për t’i shitur një motor Vespa, që ndodhej i sekuestruar në Drejtorinë Rajonale të Rezervave Materiale të Shtetit, në Tiranë.
Ai ka bashkëpunuar edhe me rojën e kësaj drejtorie, Arben Topçiun, i cili ka lejuar daljen e motorit pa dokumentacionin përkatës dhe pa e regjistruar në regjistrin përkatës. Mbi dy të arrestuarit rëndojnë akuzat: “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.