Arrestohet në Fushë Kosovë 34-vjeçari që dyshohet se shkeli urdhrin mbrojtës ndaj bashkëshortes
Gruaja e denoncoi sërish në Polici pasi bashkëshorti iu afrua edhe në vendin e punës, në kundërshtim me urdhrin e gjykatës; Prokuroria urdhëroi ndalimin e tij për 48 orë.
Një 34-vjeçar është arrestuar në Fushë Kosovë, pasi dyshohet se ka shkelur vazhdimisht urdhrin mbrojtës të lëshuar nga gjykata ndaj bashkëshortes së tij, raporton Gazeta Sinjali. Viktima, A.O., rreth 31 vjeçe, është paraqitur më 26 tetor rreth orës 10:00 në Stacionin Policor në Fushë Kosovë, ku ka denoncuar bashkëshortin e saj, E.O., rreth 34 vjeç.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ndaj të dyshuarit ekziston një urdhër mbrojtës në fuqi, ndërsa në Drenas është iniciuar edhe një rast tjetër për veprën penale ‘Dhunë në familje’. Megjithatë, sipas denoncimit, ai nuk e kishte respektuar ndalesën gjyqësore, duke iu afruar vazhdimisht bashkëshortes brenda distancës së ndaluar.
Një nga incidentet e raportuara, siç njofton Sinjali, kishte ndodhur në marketin ‘Viva Fresh Store’ në rrugën ‘Nëna Terezë’ në Fushë Kosovë, ku viktima punon. Sipas deklarimit të saj, bashkëshorti kishte shkuar në market dhe kishte folur me zë të lartë në drejtim të saj, duke shkelur distancën e përcaktuar me urdhrin mbrojtës.
Pas denoncimit, Policia ka njoftuar Prokurorinë e Shtetit, e cila ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë. 34-vjeçari është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë.
Rasti, sipas Sinjalit, po trajtohet për veprat penale ‘Mospërfillja e Gjykatës’ dhe ‘Ngacmimi’, ndërsa hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rrethanave. I dyshuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.