Arrestohet një polic në Kllokot, dyshohet se sulmoi dhe kanosi një qytetar
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Kllokot, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.
Sipas njoftimit të IPK-së, incidenti ka ndodhur të premten paradite, në fshatin Podgorcë të Komunës së Vitisë.
Bazuar në hetimet fillestare dhe informacionet e mbledhura, zyrtari policor dyshohet se e ka kanosur dhe sulmuar një qytetar me një mjet të fortë, si pasojë e së cilës viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Pas arrestimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndërkaq, në kuadër të masave administrative dhe në interes të procedurës hetimore, IPK-ja ka rekomanduar te Policia e Kosovës suspendimin e zyrtarit policor.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente./Telegrafi/



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.