Artan Hoxha komenton dhunimin e Sokol Tomës: Çfarë synuan autorët me këtë akt
I ftuar në “Now” me Thimi Samarxhi në Euronews, gazetari Artan Hoxha komentoi ngjarjen e rëndë të dhunimit të Sokol Tomës, ish-kryetar i Partisë Demokratike në njësinë administrative të Dajçit në Lezhë.
Në analizën e tij, Hoxha theksoi se ngjarja ka disa shtresa shqetësuese, si mënyra e organizimit dhe fakti që viktima përfaqëson një figurë me status në zonë.
Gazetari e krahasoi aktin me reminishenca të së kaluarës, duke përmendur sjellje të ngjashme me periudha kanunore, ku dhunimi dhe gjymtimi përdorej si formë turpërimi. Sipas tij, ky lloj veprimi sot është edhe më i rëndë se vetë vrasja, pasi synon poshtërimin e viktimës dhe dërgimin e një mesazhi frikësimi shoqëror.
Ai shtoi se rrethanat dhe motivet ende nuk janë të qarta, ndaj është herët për të hyrë në detaje, por vetë veprimi tregon një nivel të lartë brutaliteti dhe qëllim për diskreditim publik.
“Së pari, është një akt i rëndë, sepse kemi të bëjmë me rrëmbim dhe dhunim të një personi, madje në rrugë nacionale. Ata që e kanë bërë këtë nuk janë kushdo, sepse për një veprim të tillë duhet vendim dhe organizim. Së dyti, është marrë një person që përfaqëson diçka, ka një status në atë zonë, qoftë edhe nga e kaluara e tij. Së treti, mënyra se si ka ndodhur ngjarja është shumë e rëndë. Prandaj nuk dua të hyj në detaje, sepse është ende herët dhe dinamika e hetimeve është në zhvillim, ndërsa motivet nuk janë të qarta. Ky lloj veprimi më kujton periudha kur nuk kishte shtet dhe vepronte kanuni, ku ndodhnin gjymtime, prerje veshësh apo dëmtime trupore për të turpëruar tjetrin. Si akt, është më i rëndë se vrasja, sepse nuk synon vetëm eliminimin fizik, por poshtërimin publik të personit. Në ato raste, qëllimi është që viktima të mos vritet menjëherë, por të vuajë turpin dhe ta marrë vesh gjithë shoqëria çfarë i ka ndodhur. Kjo logjikë e ‘diskreditimit’ është shumë e rëndë. Janë reminishenca të së kaluarës që fatkeqësisht i shohim ende sot, por me metoda më të sofistikuara. Në këtë rast, kemi një rrëmbim, dhunim dhe gjymtim që synon të japë mesazhin se ‘plumbi është pak për ty’. Kjo është një formë ekstreme e diskreditimit. Nuk dua të hyj tek motivet, sepse është ende herët për të folur. Viktima vetë ka deklaruar se nuk ka konflikte, por ngjarja duhet hetuar deri në fund dhe autorët duhet të dalin përpara drejtësisë. Nga ana tjetër, këto ngjarje tregojnë edhe përgjegjësinë e shtetit, sepse kur ndodhin në këtë mënyrë dhe në rrugë të hapur, janë shumë të rënda dhe krijojnë precedent. Hetimet po vazhdojnë, janë marrë kamerat dhe po bëhet identifikimi i mjeteve, por ende nuk ka autorë të identifikuar. Ndryshe nga raste të tjera që janë zbardhur shpejt, ky rast duket më kompleks. Nëse një ngjarje e tillë nuk zbardhet dhe nuk ka reagim të fortë nga shteti, atëherë situata bëhet shumë e rëndë, sepse mund të krijojë precedent për raste të tjera në të ardhmen”, tha Hoxha.
Ngjarja në Lezhë, Artan Hoxha: I pr*në veshin! E bënë për ta diskretituarGazetari Artan Hoxha ka zbuluar detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në autostradën Mamurras–Laç, pranë fshatit Sanxhak në Kurbin, ku u dh*nua brutalisht Sokol Toma. pic.twitter.com/2rS1YOfXdx



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.