Atentat të riut në Tiranë, hakmarrje pas kanosjes ndaj djalit të biznesmenit të naftës
Zbardhen detaje nga atentati i djeshem ne Tirane, ku një 26-vjeçar mbeti i plagosur, pasi u qëllua me armë nga dy persona që lëviznin me motor.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:20, pranë një xhamie, në rrugën “Xhanfize Koko”, në zonën e Kinostudios. I plagosuri është Dejvis Rrustemaj, nga Tropoja, banues në Tiranë, i proceduar më parë nga policia e kryeqytetit për kanosje. Burime nga grupi hetimor thanë dje se, nisur nga rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, dyshohet se Rrustemaj është tentuar të vritej. Por duke qenë se autori ka qenë në lëvizje me motorin që drejtohej nga bashkëpunëtori i tij, nuk ka arritur të qëllojë në shenjë.
Dejvis Rrustemaj, sipas Policisë, është goditur nga një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Traumës. “Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se ky person është qëlluar nga një shtetas, i cili po udhëtonte në motor së bashku me një tjetër person. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vepre kriminale”, tha dje Policia e Tiranës.
Deri tani i plagosuri nuk është treguar bashkëpunues me Policinë, duke mohuar të ketë probleme me njeri, pavarësisht se është i skeduar në disa dosje hetimore, herë si autor e herë si dëshmitar. Madje gjatë marrjes në pyetje në Spitalin e Traumës, fillimisht ai ka dhënë identitet tjetër para oficerëve të Policisë, megjithëse është zbuluar shumë shpejt.
HETIMI
Policia e Tiranës tha dje se 26-vjeçari që u plagos dje në Kinostudio, Dejvis Rrustemaj, ka qenë i dënuar më parë për “Vjedhje me dhunë në bashkëpunim”, “Kanosje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit” dhe “Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim”. Ai është qëlluar me armë zjarri, duke u plagosur në pulpën e këmbës së majtë e duke i shkaktuar thyerje të kockës, por ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. “Nga dëshmia paraprake e dhënë nga shtetasi i plagosur dhe nga dëshmitë e mbledhura në vendin e ngjarjes është mësuar se dy persona i janë afruar me një motor me ngjyrë të zezë dhe me skafandra në kokë, ku pasagjeri i motorit ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe e ka qëlluar në këmbë 26- vjeçarin”, tha dje Policia. Burimet thanë se po hetohet si një pistë edhe hakmarrja e mundshme në lidhje me një ngjarje të ndodhur në vitin 2015. Në këtë kohë, më 22 shtator të vitit 2015, Rrustemaj, në bashkëpuim me shokun e tij, Anxhelino Çervanaku, kanë kanosur me armë Andi Fishekun, djalin e një biznesmeni të naftës, për një borxh prej 1 mijë eurosh që nuk ua kishte kthyer.