Atentati me bombë në Gjirokastër, Policia zbulon detajet e para: Makina “Benz” shpërtheu në lëvizje me lëndë plasës
Një atentat me lëndë plasëse tritol tronditi mbrëmjen e kaluar qytetin e Gjirokastrës, duke lënë pas një viktimë dhe një person të plagosur.
Viktima është identifikuar si Beqir Devolli, i cili ndodhej në drejtimin e automjetit tip “Benz” në momentin kur makina u përfshi nga shpërthimi. Ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në ambulancë, gjatë transportimit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Nga shpërthimi mbeti i plagosur edhe një 26-vjeçar, i cili sipas të dhënave paraprake, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Hetimet janë përqendruar te rrethanat e ngjarjes dhe identifikimi i personave që mund të fshihen pas saj. Dyshimet paraprake janë se objektiv i mundshëm i atentatit mund të ketë qenë Mela.
Një nga pistat që po shqyrtojnë hetuesit lidhet edhe me një ngjarje të mëparshme, pasi në vitin 2025 automjetit të Melës i ishte vënë zjarri. Mbetet për t’u verifikuar nëse dy episodet kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e motiveve të mundshme të sulmit.
Njoftimi i Policisë Gjirokastër:
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shpërthimin e një automjeti tip “Benz” në lëvizje, që dyshohet se është shkaktuar nga lëndë plasëse, me pasojë dëmtimin e drejtuesit dhe pasagjerit, ju informojmë se drejtuesi i automjetit, shtetasi B. D., 45 vjeç, banues në Gjirokastër, ka humbur jetën gjatë transportimit drejt Tiranës.
Pasagjeri, shtetasi E. M., 26 vjeç, banues në Gjirokastër, ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në informacionin paraprak, ai ishte identifikuar me inicialet R. M.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve”.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.