EMRI/ Atentat me bombë të telekomanduar në Gjirokastër, një i vdekur dhe një i plagosur rëndë! Kush ishte viktima dhe sh
Një atentat me bombë të telekomanduar në një makinë në ecje tip “Mercedes-Benz” mbrëmjen vonë të së shtunës në qendër të Gjirokastrës (11 tetorit), la të paktën një person të vdekur dhe një tjetër u plagos rëndë teksa udhëtonin bashkë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 në bulevardin “18 Shtatori”, pranë godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Gjykatës së Gjirokastrës. Automjeti ishte në lëvizje në momentin kur ndodhi shpërthimi dhe më pas përfundoi mbi trafikndarëse.
Në mjet ndodheshin Beqir Devolli, i cili e drejtonte atë, dhe Rigels Mela. Të dy mbetën të plagosur dhe u transportuan fillimisht për ndihmë mjekësore në spital.
Devolli ishte në gjendje të rëndë dhe u nis drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, ai humbi jetën gjatë transportimit drejt kryeqytetit.
Rigels Mela, personi tjetër që ndodhej në automjet, është jashtë rrezikut për jetën.
Shpërthimi i së shtunës ishte i fuqishëm dhe u dëgjua në një pjesë të madhe të qytetit, duke shkaktuar panik te banorët dhe kalimtarët në zonën e bulevardit “18 Shtatori”. Policia tha se dyshohet për atentat me eksploziv që u aktivizua në ecje të mjetit.
Ekspertiza pritet të përcaktojë natyrën dhe sasinë e saj.
Gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës në Gjirokastër ka mbërritur edhe një grup specialistësh nga Tirana, të cilët po punojnë së bashku me grupin hetimor për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Dyshimet paraprake kanë qenë se objektiv i mundshëm i sulmit mund të ketë qenë Rigels Mela. Në prill të vitit 2025, edhe automjeti i tij ishte përfshirë nga flakët pas një shpërthimi, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar nëse mes dy ngjarjeve ekziston ndonjë lidhje.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar dinamikën e shpërthimit dhe për të identifikuar personat që mund të kenë lidhje me ngjarjen.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.