Avokati i familjes Zekaj dyshon për përfshirjen e dy vëllezërve në vrasjen e Arlindës: Kemi prova
Avokati Besnik Berisha, përfaqësues ligjor i familjes së të ndjerës Arlinda Zekaj, ka deklaruar se ekzistojnë prova që, sipas tij, ngrenë dyshime për përfshirjen e së paku dy anëtarëve të familjes së bashkëshortit të saj në vrasje.
Berisha ka bërë të ditur se gjatë ditës janë intervistuar familjarë dhe dëshmitarë të rastit, përfshirë edhe nënën e dy personave që ai i konsideron të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje.
Ai ka pretenduar se dy vëllezërit kanë pasur rol në vrasjen e Arlindës, ndërsa pjesëtarët e tjerë të familjes, sipas tij, janë përdorur për të përshkallëzuar situatën dhe për të krijuar rrethanat që i paraprinë krimit.
“Publiku mund të dijë që ka prova të mjaftueshme që forcojnë jo vetëm dyshimin e arsyeshëm, por dyshimin e bazuar se së paku dy anëtarë të familjes, përkatësisht dy vëllezër, janë të përfshirë në vrasjen e tashmë të ndjerës, Arlinda Zekaj”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se nuk mund të thotë nëse nëna e dy vëllezërve ka qenë në dijeni për atë që, sipas tij, kishin planifikuar djemtë e saj, por pretendoi se anëtarë të tjerë të familjes kishin kontribuar në krijimin e një situate të rënduar për viktimën.
“Publiku mund të dijë që ka prova të mjaftushme që forcojnë jo vetëm dyshimin e arsyeshëm por dyshimin e bazuar se së paku dy anëtarë të familjës, përkatësisht dy vëllezër janë të përfshirë në vrasjen e tashmë të ndjerës, Arlinda Zekaj. Se pjesa tjetër e familjës është përdorë për të acaru situatën, është sjellë nga Deçani në shtëpinë e saj jo sepse ishin duke jetu nën një kulm, jo sepse kishin kontribu në pasurinë e përbashkët, jo se kishin hise në atë shtëpi apo kishin jetu më parë në bashkësi. Janë ardhë për të dëbu një nënë, janë ardh për t’i asistu një njeri në distancë për të kry një krim dhe janë ardh për të qenë ata që kur të ndodh kjo që ka ndodh të mbulojnë në mënyrën më të trishtë të mundshme. Nuk mund të them që edhe nëna e djemve e ka ditë këtë marri që do të bëjnë djemtë e saj, por kanë kontribu në një situatë jo vetëm që e ka marrë një jetë atë natë. Secili dëshmitarë që ka qenë tek familja është intervistu”, u shpreh Berisha.
Berisha foli edhe për rrethanat në të cilat ndodhej bashkëshorti i Arlindës, Jeton Sylaj, në kohën e vrasjes. Sipas tij, në stacionin policor kishin qenë dy vëllezërit Sylaj, por jo personi që, sipas tij, e ka pranuar fajësinë për vrasjen.
Avokati ngriti dyshime se Jeton Sylaj, ndonëse ishte në rrugë për t’u ndaluar në lidhje me mosrespektimin e një vendimi gjyqësor, mund të ketë pasur ende qasje në telefonin e tij personal.
Sipas Berishës, përmes telefonit mund të jenë përcjellë lëvizjet në oborrin e shtëpisë, ku ishin të instaluara kamera të sigurisë. Ai pretendoi gjithashtu se kamera mund të ishin vendosur edhe në dhomën e gjumit, duke thënë se Arlinda kishte dërguar fotografi te persona të tjerë për të shprehur shqetësimin lidhur me këtë.
Për këtë arsye, Berisha ka kërkuar sekuestrimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë së stacionit policor, për të verifikuar se ku ndodhej Jeton Sylaj në momentin e vrasjes, kush ishte me të dhe çfarë qasjeje kishte në telefonin e tij.
“Gjasat reale janë, kemi prova, që komunikimi ka vazhduar kur Jetoni ia ka komunikuar familjes ndalimin dhe me arritjen e Arlindës te shtëpia ka ndodhur tragjedia sapo është larguar policia. Arlinda është pritur në ‘pritë’. Vrasja e saj, për bindjen time, është planifikuar të ndodhë në momentin që Jetoni është dërguar për ndalim në Klinë”, deklaroi Berisha.
Ai tha se ka kërkuar se hetimi duhet të përfshijë edhe komunikimet telefonike, pamjet e kamerave të sigurisë dhe personat që kanë qenë të pranishëm në stacionin policor në kohën e ngjarjes.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.