Te ndryshme

Spanjë: Zhdukja e gjurmëve historike të gjeneral Frankos

Pas zgjedhjeve vendore që riformësuan qeverisjen e qyteteve, Spanja duket se po i rikthehet plagëve të së shkuarës për t’i fshirë ato njëherë e mirë nga hapësirat publike, bashkë me kujtimet e diktatorit Franko

Vetëm disa vite më parë do të kishte qenë shumë e habitshme që një anarkist të nderohej duke i dhënë emrin e tij një rruge në kryeqytet. Por, dy javë më parë, Këshilli i Qytetit të Madridit ra dakord unanimisht që një rruge t’i jepej emri i një burri njohur si Engjëlli i Kuq, Melchor Rodriguez Garcia. Se cila rrugë do të marrë saktësisht emrin e Rodriguez, kjo nuk është vendosur por do të jetë një që lidhet me periudhën e Frankos, përfshirë Sheshin Caudillo, që e ka marrë emrin nga “Shefi” vetë dhe të tjerë gjeneralë famëkeq të Frankos. Një total prej 35 emra rrugësh do të ndryshohen deri në fund të vitit të ardhshëm për t’i dhënë qytetit një fytyrë më “pluralistike, demokratike dhe të ndryshme”. Emrat e zëvendësuar do të përfshijnë më shumë gra – të cilat sipas këshillit kulturor të Madridit, janë thuajse të padukshme në hartën e rrugëve – si dhe emra të viktimave të terrorit.

Divizionet bardhezi të periudhës së Luftës Civile janë të përhapura në jetën e përditshme të Spanjës, por deri më tani, politikanët nuk kanë bërë shumë për të sfiduar Paktin e pashkruar të Harrimit, rënë dakord mes dy partive kryesore – Partisë Popullore të së djathtës dhe Partisë Socialiste të së Majtës – që e kanë qeverisur vendin që nga rikthimi i demokracisë.

Njerëzit nuk e përmendin thuajse fare luftën. Është e zakonshme që spanjollët ta ulin zërin kur përmendin Frankon në publik. Dhe ndërsa rrugët që mbartin emrin e tij janë pagëzuar me emra të tjerë dhe statujat publike të tij janë hequr nga rrugët, ithtarët e tij kanë vazhduar të nderohen.

Një ligj i kujtesës historike, i kaluar në vitin 2007 nga qeveria socialiste e Jose Rodriguez Zapatero synonte ta zhvishte qytetin nga figura e Frankos, por në fakt është shpërfillur, si për shembull në Madrid, ku Partia Popullore ka qeverisur për 24 vjet deri në majin e shkuar.

Por tani, që të dyja partitë e kanë humbur kontrollin mbi Madridin dhe shumë qytete të tjera, Pakti i Harresës është venitur. Partia Podemos e krahut të majtë, në veçanti, do që ata që kanë kryer krime në periudhën e Frankos të përballen me gjyq dhe të gërmohen varret masive. Ka presion edhe nga grupe të tjera për të krijuar një komision E Vërteta dhe Ripajtimi, si në Afrikën e Jugut pas fundit të aparteidit.

Melchor Rodriguez Garcia mund të jetë e vetmja figurë e periudhës së Luftës Civile, emri i të cilit shfaqet në një emërtim të ri rruge. Ndryshe nga shumë kolegët e tij politikanë, ai ishte një pacifist. “Mund të vdesësh për një ide, por kurrë të vrasësh për të”, tha ai dikur.

Si drejtor i burgjeve të Madridit gjatë fillimit të Luftës së Ftohtë, Rodriguez rrezikoi jetën në një burg në periferi të Madridit për të mbrojtur të burgosurit fashistë nga një turmë e armatosur që donte t’i vriste. Turma hyri në porta dhe kërkoi që të burgosurit t’i dorëzoheshin, por ai u tha atyre se preferonte më shumë të armatoste të burgosurit sesa të dorëzohej në heshtje.

Pasi Franko mori kontrollin në vend, jeta e tij u kursye dhe ai nuk u dëbua, por jetoi si aktivist në Madrid derisa vdiq në vitin 1972. Stuart Christie, një anarkist skocez që u burgos për kontrabandë eksplozivash në Spanjë në një tentativë për të vrarë Frankon në vitin 1964, u fal tre vite pas një dënimi me 20 vjet prej presionit ndërkombëtar dhe prezantimeve të bëra nga Rodriguez.

“Jam shumë i kënaqur të dëgjoj se puna humanitare e Melchor gjatë Luftës Civile po njihet zyrtarisht”, tha Christie. “Ai ishte një nder për emrin dhe parimet e anarkizmit në një kohë barbarie”.

Por jo vetëm Madridi po merr vendime për të riemëruar rrugët, 42 vjet pas vdekjes së Frankos. Një tjetër shembull i respektueshëm është qyteti Costa del Sol, vendlindje e disa ish-fashistëve, që ka marrë vendimin që deri në fund të janarit të heqë emrat e dy gjeneralëve të neveritshëm, Cabanillas dhe Alted.

Gjenerali Carlos Asensio Cabanillas luftoi krah gjeneralit Gen Juan Yague, i cili njihet si Kasapi i Badajozit për një masakër në gusht 1936, ku mijëra civilë u vranë me mitraloz brenda një livadhi.

Pas këtij sulmi, Cabanillas, nën urdhrat e Yague, përparoi me gjakderdhje drejt Madridit dhe rrethoi qytetin. Ai më vonë shërbeu si ministër i Luftës dhe vdiq në vitin 1970. Nga ana tjetër, gjenerali Alted, sanksionoi sulme të pamëshirshme nga ajri dhe deti ku u vranë mijëra shtetas që u larguan nga Malaga në shkurt 1937.

Rezistenca për ndryshimet e emrave ka ardhur nga krahu i djathtë në Spanjë në shkallë të ndryshme. Fondacioni Kombëtar, Françisko Franko, ka kërcënuar të padisë kryebashkiakët apo këshillat që në përputhje me Ligjin e Kujtesës Historike të 2007-s, heqin simbolet fashiste apo të tjera sende të konsideruara fyese nga hapësirat publike.

Dhjetë ditë më parë, kur këshilli i qytetit të Madridit filloi heqjen e një prej monumenteve të periudhës së Frankos, qeveria rajonale drejtuar nga Partia Popullore kundërshtoi dhe masat u pezulluan.

Por ndryshimi i emrave mund të jetë vetëm fillimi. Tani që marrëveshja 40-vjeçare e heshtjes është sfiduar, Spanja mund të shkojë edhe më tej në hetimin e së shkuarës së trazuar të vendit.

Gjenerali Franko vdiq në nëntor 1975 pas një sëmundje të hershme.

Ai u vajtua nga miliona spanjollë konservativë, por ata në të majtë festuan largimin nga froni të një fashisti që dikur kishte qenë aleat i Hitlerit dhe Musolinit.

*Burimi: BBC

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button