Bajrami: Oferta e Kurtit ishte shantazh, ai dëshiron të sundojë e jo të qeverisë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër pas dështimit të radhës të bisedimeve mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër pas dështimit të radhës të bisedimeve mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse.
Përmes një deklarate, Bajrami e ka cilësuar propozimin e fundit të Albin Kurtit jo si ofertë, por si një përpjekje për kontroll dhe imponim të vullnetit personal mbi institucionet e shtetit.
Sipas Bajramit, propozimi që LDK-ja të marrë katër ministri dhe një zëvendëskryeministër, me kushtin që pozita e Presidentit të mbetet nën kontrollin e LVV-së, është i papranueshëm.
“Kjo nuk është ofertë – është presion. Kjo nuk është zgjidhje – është një tjetër përpjekje për të imponuar vullnetin e një njeriu mbi vullnetin e qytetarëve. Ajo që ju ofrua sot LDK-së nuk ishte kompromis – ishte shantazh i paketuar si zgjidhje,” u shpreh ajo.
Deputetja e LDK-së theksoi se kriza aktuale nuk lidhet vetëm me emrin e Presidentit, por është pasojë e një periudhe gjashtëvjeçare të asaj që ajo e quan “keqqeverisje e Albin Kurtit”. Ajo akuzoi Kurtin se po ikën nga përgjegjësia duke u mjaftuar me pozita të ushtruesit të detyrës.
Bajrami listoi një varg dështimesh, duke filluar nga kriza energjetike, inflacioni, e deri te mbyllja e bizneseve dhe largimi i të rinjve nga vendi. Ajo përmendi qytetet si Peja, Prishtina, Podujeva e Gjilani, ku qytetarët po përballen me fatura të shtrenjta ndërkohë që qeveria merret me “pazare politike”.
Në fund të reagimit të saj, deputetja rikujtoi disa nga premtimet e Kurtit që, sipas saj, mbetën vetëm fjalë: Bashkimi kombëtar që nuk ndodhi, heqja e TVSH-së për produktet bazë (miell, sheqer, vaj), ndryshimi i qëndrimeve për simbolet shtetërore (“flamuri lara-lara”).
“Qytetarët duhet përfundimisht të kërkojnë llogari për këtë që po ndodhë”, përfundoi Bajrami, duke paralajmëruar se mund të ketë përpjekje të tjera për “zgjidhje konsensuale” të minutës së fundit që në fakt i shërbejnë vetëm agjendës së Kurtit.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.