Rajoni

Ballkani Perëndimor dhe Turqia do ti thellojnë reformat ekonomike dhe sociale

Në dialogun ministror me Bashkimin Evropian (BE) të mbajtur dje, shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia u përkushtuan në thellimin e reformave ekonomike dhe sociale për forcimin e stabilitetit makroekonomik dhe për të nxitur konkurrencën dhe rritjen.

Siç bën të ditur zyra e BE-së në Shkup, në konkluzionet e miratuara gjatë takimit, u përcaktuan rekomandime politike për shtatë partnerët, pjesë të procesit të zgjerimit, me përqendrim të qartë mbi reformat strukturore.

“Objektivi fundamental i strategjisë së BE-së për zgjerim është rritja e zhvillimit ekonomik dhe social në të gjitha shtetet partnere. Sot diskutimi i jonë u përqendrua mbi atë se si të implementohen reformat ekonomike të cilat janë përcaktuar së bashku me BE-në. Jam i kënaqur se të gjithë shtetet e zgjerimit kanë treguar përkushtim shumë të madh për këtë ushtrim, përfshirë edhe përqendrim më të madh mbi reformat strukturore dhe sociale”, ka thënë Komisari Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe për Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn.

Në njofrimin e zyrës së BE-së në Shkup thuhet më tej se udhëzuesi i miratuar bazohet mbi Programet për Reforma, të cilat autoritetet i zhvillojnë në baza vjetore dhe ia dërgojnë BE-së në fund të muajit janar.

Programet janë të hartuara për periudhë tre vjeçare dhe përbëhen nga korniza makroekonomike dhe fiskale si dhe nga reforma strukturore prioritare për ta nxitur konkurrencën dhe rritjen.

Këto reforma strukturore hyjnë në sferën e liberalizimit të energjisë, tregjeve të transportit dhe telekomunikacionit, tejkalimin e shkallëve të larta të papunësisë, rritjes së cilësisë të sistemit arsimor, përmirësim të mjedisit për biznes dhe midis tjerash edhe tërheqje të investimeve.

“Siç është specifikuar në Konkluzionet e Përbashkëta, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë u pajtua që ta rris transparencën lidhur me buxhetin, ti forcojë kapacitetet për planifikim të buxhetit dhe ti miratojë programet për reforma të menaxhimit të financave publike. U dakordua që prioritetet e investimeve publike të përcaktohen në mënyrë më të mirë, në një proces transparent dhe të implementohen në mënyrë të mirë dhe efikase”, thuhet në pjesën për Maqedoninë ku shtohet se Qeveria u pajtua që të jetë më transparente kur i miraton ligjet dhe ta forcojë pavarësinë e gjykatave.

Në fund, qeveria u pajtua që të miratojë masa të cilat do ti inkurajojë njerëzit që të hynë në tregun e punës dhe ta forcoj akoma më mirë pozitën e Agjencisë për Punësim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button