Banka Botërore: çmimet e mallrave do të rriten 23 për qind në 2026, energjia 32 për qind për shkak të luftës me Iranin
Çmimet e mallrave në botë do të rriten me 23 për qind në vitin 2026, ndërsa çmimet e energjisë do të kërcejnë me 32 për qind, për shkak të goditjeve globale ku kryesori është konflikti në Lindjen e Mesme, thuhet në raportin e ri “Commodity Markets Outlook” të Bankës Botërore, të publikuar të mërkurën në Uashington. Sipas Bankës, lufta me Iranin ka zbrazur rezervat e naftës dhe po i çon çmimet e energjisë në nivelin më të lartë në katër vjet.
Raporti parashikon që nafta Brent të mesatarizojë 91 dollarë për fuçi në vitin 2026, nga 69 dollarë në vitin 2025, përpara se të zbresë në 79 dollarë në vitin 2027. Furnizimi global me naftë pritet të bjerë me 5.2 për qind në 2026 — rënia më e madhe në më shumë se katër dekada, jashtë recesionit global të vitit 2020 — ndërsa konsumi pritet të tkurret me 2.5 për qind, sipas raportimit të Bankës Botërore.
Edhe çmimet e ushqimeve parashikohen të rriten me rreth 10 për qind në 2026 dhe me 7 për qind të tjera në 2027, një rritje kumulative prej 18 për qind, pasi konflikti ka trazuar dërgesat e grurit dhe çmimet e larta të karburanteve e plehrave kimike kanë shtrenjtuar prodhimin bujqësor. Plehrat kimike pritet të shtrenjtohen me 14 për qind në 2026, metalet me 25 për qind, ndërsa metalet e çmuara me 40 për qind, thuhet në raport.
“Tregjet e mallrave po goditen nga disa tronditje të mëdha njëherësh”, tha Ayhan Kose, zëvendësekonomist kryesor i Bankës Botërore. Sipas tij, kostot më të larta të energjisë dhe ndërprerjet e tregtisë po i rrisin çmimet në një gamë të gjerë mallrash, duke kërcënuar ta përkeqësojnë inflacionin, pasigurinë ushqimore dhe rritjen ekonomike.
Parashikimet dalin nga supozimi se konfliktet nuk do të përshkallëzohen më tej; në një skenar negativ, ku sulmet në Lindjen e Mesme intensifikohen, Brent-i mund të mesatarizojë 105 dollarë për fuçi në vitin 2027. Banka Botërore tha se ka vënë në dispozicion 50 deri në 60 miliardë dollarë përmes instrumenteve të saj ekzistuese, përfshirë 25 miliardë dollarë financim të parapërgatitur, për t’i ndihmuar vendet të përballojnë pasojat e çmimeve më të larta.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.