Ambasadorja e BE-së Moreira de Sousa: Duhen reforma dhe dialog. Balla: Integrimi mbetet prioritet
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, theksoi rëndësinë e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit evropian të vendit, gjatë një takimi me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Në një reagim në rrjetet sociale, ambasadorja bëri të ditur se diskutimi u përqendrua te rrugëtimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe te rëndësia e reformave dhe përafrimit të legjislacionit me standardet evropiane.
“U takova sot me z. Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar të PS-së, për të diskutuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Patëm një diskutim të frytshëm mbi rolin qendror të Kuvendit në miratimin e reformave, përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së dhe sigurimin e llogaridhënies së ekzekutivit. Kjo kërkon angazhimin e të gjitha palëve dhe që Kuvendi të jetë një hapësirë e mirëfilltë dialogu”, u shpreh ambasadorja e BE-së.
Sipas saj, avancimi i procesit të integrimit kërkon bashkëpunim të gjerë politik dhe funksionimin e Kuvendit si institucion kyç për miratimin e reformave që lidhen me negociatat e anëtarësimit.
Nga ana e tij, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e cilësoi takimin me ambasadoren si një bisedë të frytshme mbi sfidat dhe prioritetet e agjendës europiane të Shqipërisë.
Balla nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së ritmit të negociatave me Bashkimin Evropian dhe rolin që ka Kuvendi në këtë proces.
“Një bisedë e frytshme me Drejtuesen e re të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadoren Sofia Moreira de Sousa, mbi agjendën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe rëndësinë e ruajtjes së ritmit dhe momentumit të negociatave. Kuvendi i Shqipërisë ka një rol thelbësor në këtë proces historik, përmes avancimit të reformave, përafrimit të legjislacionit me acquis të BE-së dhe forcimit të mbikëqyrjes parlamentare”, shkroi Balla.
Ai shtoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një objektiv strategjik kombëtar, i cili kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional, përgjegjësi dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.