Erion Veliaj në sektorin e observimit të burgut të Fierit pas kalimit ‘në sitë’ të tij dhe të çantës që mbante me vete
Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është transferuar nga burgu i Durrësit drejt burgut të sigurisë së lartë në Fier, ku do të vijojë qëndrimin në paraburgim.
Transferimi është kryer me një automjet policie me targë 744, brenda të cilit ndodheshin disa punonjës policie me uniformë, si dhe Erion Veliaj. Furgoni është nisur nga burgu i Durrësit në orën 13 pa u shoqëruar nga automjete të tjera policie, as përpara dhe as pas tij.
Automjeti ka mbërritur në orët e para të drekës në burgun e Fierit dhe ka hyrë përmes portës kryesore të institucionit, duke u ndalur pranë hyrjes së sektorit të qelive.
Pas zbritjes nga automjeti, Veliaj ka pasur me vete një çantë me sende personale. Siç mësohet, ai dhe sendet e tij personale i janë nënshtruar kontrolleve të imtësishme përmes pajisjeve të sigurisë dhe detektorëve, në përputhje me procedurat e institucionit penitenciar.
Më pas, ish-kryebashkiaku është dërguar në sektorin e observimit, ku qëndrojnë të paraburgosurit e sapoardhur për një periudhë fillestare, zakonisht rreth 7 deri në 10 ditë. Gjatë kësaj kohe kryhen procedurat përkatëse dhe bëhet vlerësimi për caktimin e sektorit dhe të qelisë ku do të qëndrojë më tej.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgim dhe çështja e tij është në proces gjykimi. Deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë, ai prezumohet i pafajshëm.
Me transferimin në Fier, Veliaj do të vijojë të qëndrojë në këtë institucion penitenciar, ndërsa paraqitjet e tij për procedurat gjyqësore do të kryhen tashmë nga burgu i Fierit dhe jo nga ai i Durrësit, ku ka qëndruar deri paraditen e sotme.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.